Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha kërkoi edhe sot dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama duke paralajmëruar se protestat nuk do të ndalen deri në largimin e tij. Në një konferencë me gazetarët Berisha paralajmëroi liderin e mazhorancës Rama për reagimin e opozitës duke hequr paralele me 20 shkurtin e vitit 1991 kur qytetaret e Tiranës rrëzuan shtatoren e dikatorit Enver Hoxha.
“Jep dorëheqjen sepse do të tërheqin dhe mos harro kurrë 20 shkurtin se çfarë dinë të bëjnë shqiptarët me kultet e rreme, me kultet satanike. Pra, jep dorëheqjen”, tha Berisha.
Sipas Berishës vonesa e parlamentit për shqyrtimin e çështjes së imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku bie ndesh me Kushtetutën e vendit.
“Përpjekja që bën Edi Rama me Lubi Ballukun për të bllokuar procesin e drejtësisë përbën një krim permanent, krim në vazhdim për të dy ata”, tha kreu i PD.
Berisha përsëriti kërkesën për krijimin e një qeverie qeveri teknike, duke sqaruar edhe kushtet e PD për këtë proces.
“Për ne rëndësi vendimtare ka përgatitja e një procesi zgjedhor të drejtë, dhe mos bllokimi i drejtësisë, i ligjit dhe Kushtetutës. Dy janë kushtet, se një qeveri që bllokon drejtësinë është për tu hedhur në Lanë. Drejtësia nuk mund të bllokohet. Është kushti i të gjitha kushteve që të funksionojë ndarja e pushteteve, jo si sot që një njeri merr të gjitha pushtetet në një dorë, merr dhe vlerësimin e provave, thotë se, urdhrat që kam dhënë me mesazhe nuk janë prova, nuk janë urdhëra”, tha Berisha.
Kryetari i PD, Sali Berisha prej kohësh është një prej kritikëve më të fortë të sistemit të drejtësisë, pas reformës, por prej momentit që SPAK nisi hetimet ndaj numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku, ai ka ndryshuar qëndrim duke mbrojtur tashmë SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme.





