Kreu i “Foltores”, Sali Berisha ka prezantuar kandidatin e tij për Bashkinë Fier, Edvar Kodhelin. Gjatë fjalës së tij, Berisha kërkoi votëbesimin e qytetarëve me zotimin se alternativa e tij ofron më të mirën për qytetarët e Fierit.

 

“Ju garantoj se Edvar Kodheli, kryetar i një bashkie dhe një moment që PD nuk është akoma në pushtet, por ka pushtet të fuqishëm të dhënë nga ju, për të përmirësuar në mënyrë thelbësore jetën tuaj, për të përmirësuar në mënyrë thelbësore shërbimet ndaj qytetarëve, për të përmirësuar në mënyrë thelbësore klimën ndaj biznesit, për të përmirësuar në mënyrë thelbësore veprimtarinë e fermerëve tanë, për të përmirësuar në mënyrë thelbësore sistemin arsimor, shërbimin shëndetësor”, tha ai.

 

Berisha gjithashtu theksoi se objektiv i tij pas marrjes së pushtetit është ulja e taksave.

 

“Taksat e ulëta janë një kusht themelor i suksesit të biznesit. Taksat e ulëta janë një kusht themelor, i dy dhe trefishimit të bizneseve në qytete. Taksat e ulëta janë një gjenerator i fuqishëm i krijimit të vendeve të punës. Por, po kështu kryetari i ardhshëm i bashkisë, në zbatim të programit të PD, do të ketë një interes madhor për fermerët në të 4 anët e këtij qarku”, shtoi Berisha.

 

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Edvar Kodheli ka përballë në zgjedhjet vendore të 14 majit, kreun aktual të Bashkisë Fier, Armando Subashin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *