Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përshëndeti 4 gjyqtarët që mbrëmjen e së premtes votuan kundër ankimimit të kryeministrit Edi Rama. Berisha shfrytëzoi një komunikim në rrjetet sociale për të komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku
“Me atë ndarje katër me katër, të paktën vendimi, kërkesa e Edi Ramës nuk u miratua dhe përfundoi në kosh të plehrave. Në fakt bashkë me Edi Ramën sepse ajo nuk kishte të bënte me Lubi Ballukun, ajo kishte të bënte me pezullimin e Edi Ramës nga detyra. Dhe ai donte të krijonte një mur nga gjykata”, tha Berisha.
Berisha deklaroi se pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kryeministri Edi Rama dhe PS do të të votojnë kundër heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut.
“Ju garantoj se, kjo organizatë kriminale në pushtet nuk do të ja heqë imunitetin Lubi Ballukut”, tha kreu i PD.
Edhe sot Berisha pretendoi se ankimimi i kryeministrit Rama në Gjykatën Kushtetuese dhe zvarritja nga mazhoranca socialiste e kërkesës së SPAK për arrestimin e numrit 2 të qeverisë Belinda Balluku ka vënë në rrezik procesin e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE.
“Edi Rama, me qëndrimet e tij të papërgjegjshme, detyroi kancelaritë dhe qendrat vendimmarrëse të Europës, t’i nxjerrin jo kartonin e kuq, por të shkojnë drejt vendimit që nuk është marrë ndonjëherë në 32 vite apo në tërë ekzistencën e BE, vendimit të zhbërjës së plotë të procesit të integrimit të Shqipërisë”, tha ai.
Nga ana tjetër Berisha komentoi emërimin e ish-deputetit të PD Dashnor Sula si kryeinspektor i përgjithshëm
“Të dalësh në kohën më të zezë të Edi Ramës e të kapësh flamurin e Ramës ke kryer aktin më të lartë të tradhtisë. Ne do të ndahemi me këta, nuk i duam në gjirin tonë”, theksoi Berisha.
Kreu i PD, Sali Berisha u bëri apel qytetarëve që t’i bashkohen opozitës në protestën e 10 shkurtit kundër kryeministrit Edi Rama./vizionplus.tv





