Sali Berisha sulmoi sërish nga SPAK Altin Dumanin, duke e quajtur mercenar të pushtetit, që amnistoi ish-gjyqtaren e përfshirë në dosjen e Suel Çelës.
“Ky mercenar, që mban në burg Ilir Metën pasi janë dorëzuar të gjitha dosjet, ky nxori simotrën e tij, Pajtime Fetahun, Pajtime Troplini apo Pajtime Dumani. E nxori se ajo ishte e sëmurë, ajo mund të jetë e sëmurë dhe unë i uroj shërim, por u garantoj se 30-40 përqind e popullatës në burgje janë të sëmurë dhe kjo është një shifër e saktë që u jap ju këtu”, tha Berisha.
I pyetur nëse ka preferenca mes kandidatëve që garojnë për kreun e SPAK, Berisha tha: “Ky mercenar po fsheh dokumente krimi të kandidaturave që kërkon t’i nxjerrë. Dhe këtu do jemi. Po fsheh dokumente që inkriminojnë dy kandidaturat që ai mbështet. Unë rezervoj të drejtën t’u them ju këtu se ç’dokumente ka fshehur në momentin kur të dalë në skenë. Por kam informacione të plota se ky fsheh dokumente të personave që kërkon t’i kandidojë për kryetar”.
Në 13 tetor pritet të zhvillohet seanca gjyqësore për dosjen “Partizani” në të cilën është marrë i pandehur Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, dy biznesmenët, Fatmir Bektashi dhe Xhimi Begeja dhe noterja Andia Pustina.
Ish- kryeminstri Berisha akuzohet për korrupsion pasiv, ndërsa dhëndri i tij krahas korrupsionit akuzohet se ke kryer edhe pastrim parash.
/vizionplus.tv





