Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi për herë të parë vendimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për të shpallur datën e zgjedhjeve në Tiranë, edhe pse shkarkimi i Erjon Veliajt ndodhet në Gjykatën Kushtetuese. Sipas Berishës, dekreti për zgjedhjet në kryeqytet ishte një akt i turpshëm.
“Shqipëria nuk ka president, ka një skllav të krimit që fshihet prapa gishtit dhe që më thanë se u fsheh prapa Rusmalit.”
Por, edhe pse për demokratët dekreti është në shkelje të Kushtetutës, opozita do të garojë në zgjedhjet e 9 nëntorit.
“Ne nuk bojkotojmë. Edi Rama do festonte nëse do bojkotonim, por ne nuk do ia japim atë kënaqësi atij. Ne do ta luftojmë atë çdo orë, çdo ditë, kudo që të jetë.”
Lideri i Partisë Demokratike gjatë komunikimit me gazetarët vlerësoi 3 kandidatët që kanë dalë deri tani për Tiranën, Edlira Cepani, Florian Hackaj dhe Ermal Hasimja, por shmangu komentet nëse një prej tyre ka mbështetjen e PD-së.
“Unë i rezervoj vetes të drejtën që të mos prononcohem. Jam i gatshëm të mbështes modelin që pranohet më gjerësisht nga opozita.”
Përtej zgjedhjeve të pjesshme, Berisha shfrytëzoi komunikimin me gazetarët për të akuzuar kryeministrin Edi Rama se sillet si klloun në samitet ndërkombëtare, duke përqeshur presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
“Pyetja ime për çdo shqiptar është: a mund t’u përfaqësojë ju një kloun i shpifur si ky? I turpshëm, ordiner.”
Sipas Berishës, qëndrimi i kryeministrit Edi Rama në takimin e komunitetit politik europian nuk i shërben Shqipërisë dhe shqiptarëve.
/vizionplus.tv





