Kryetari i PD Sali Berisha ka shfrytëzuar takimet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg për të siguruar mbështetjen e faktorit ndërkombëtar një muaj para zgjedhjeve parlamentare.
Takimin e parë Berisha e zhvilloi me grupin e Partisë Popullore Evropiane dhe akuza e parë që lideri i opozitës artikuloi në Strasburg ishte përdorimi sipas tij i sistemit të drejtësisë kundër opozitës.
“Për të siguruar një mandat të katërt, Edi Rama, vendosi të arrestojë tre liderë të partive kryesore të opozitës. Ai arrestoi kryetarin e Partisë Demokratike, vendosi në arrest shtëpie për 330 ditë kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, me akuza të rreme pas një hetimi që zgjati katër vjet. Por disa muaj më parë, ai arrestoi kreun e partisë së dytë opozitare, Ilir Meta, si person nën hetim. I treti, kreu i partisë së tretë opozitare, Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, ndodhet në një proces penal për një çështje që është gjykuar para 15 vitesh dhe nuk ekziston më asnjë fakt i ri”, tha Berisha.
Për të mbështetur akuzën se mazhoranca përdor drejtësinë kundër kundërshtarëve politikë, Berisha shfrytëzoi edhe rastin e Fredi Belerit i cili u dënua për korrupsion zgjedhor dhe nuk e mori mandatin e kryetarit të bashkisë se Himarës e sot është deputet i Parlamentit Europian.
“U arrestua me dëshmi të rreme, dhe ndonëse ishte zgjedhur, nuk iu lejua kurrë të bënte betimin, sepse Rama donte me çdo kusht që Beleri të mos bëhej kryetar i bashkisë së Himarës. Kjo sepse, për interesa mafioze, Edi Rama kishte marrë pjesë në një pronë publike, duke e trajtuar si pronë të tij, ndërkohë që nuk ishte e tillë. Kështu, Belleri kaloi një vit e gjysmë në burg, nuk u lejua të bënte betimin dhe humbi mandatin si kryetar bashkie”, tha Berisha.
Para përfaqësuesve të Partisë Popullore evropiane Berisha akuzoi qeverinë se po përdor bandat kriminale edhe në fushatën zgjedhore të 11 majit./vizionplus.tv





