Ish-Presidenti Sali Berisha pas përfundimit të takimit me kreun e shtetit Ilir Meta është shprehur se në këtë takim është diskutuar gjerësisht për krizën madhore për procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetues.
Përmes një deklarate për mediat Berisha është shprehur se vendi ndodhet në një moment kyç dhe u ka bërë thirrje medias që të thonë të vërtetën për të gjithë shqiptarët, se si kjo reformë po sjell në mënyrë të lemeritshme kapjen e saj nga mafia e narkoshtetit shqiptar.
“Në këtë takim me presidentin u diskutua gjerësisht për krizën madhore që mafia e Edi Ramës me përpjekjet e shpërfytyruara për të kapur të gjithë sistemin e drejtësisë krijoi edhe në organin që me ligj është garant i Kushtetutës.Tani është një moment kyç dhe vendimtar për çdo qytetar shqiptar, por duhet të theksoj se ju mediat keni një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm, sepse me të drejtë ju keni lakuar më shumë se cdo gjë tjetër, gjatë këtyre katër viteve, të paktën 20 herë më shumë Reformën në Drejtësi, sesa integrimin në BE. Është në detyrimin tuaj t’u thoni të vërtetën shqiptarëve, se si kjo reformë po sjell në mënyrë të lemeritshme kapjen e saj nga mafia e narkoshtetit shqiptar. Cilido që ka dyshimin më të vogël, i rikujtoj se KLP e sotme kryesohet nga një individ, kunati i ndrikullës së radarëve, që është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse kërkohet të jetë magjistrat, por jo kunat. Ai është aty për t’i shërbyer si skllav Edi Ramës. Cilido që dyshon, i bëj një pyetje: A mund të na thoni cili gjykatës, në historinë 30-vjecare të këtij vendi, ka shkelë në mbledhje partiake, ai është vetëm një, mafiozi Ardian Dvorani, në mbledhjet e PS. Thonë se presidenti kërkon të kapë gjykatën se është vetë në gjykim, por Komisioni i Venecias shpreh të kundërtën; se parlamenti duke vendosur presidentin në hetim do të bëjë gjithcka për të kapur gjykatën. Shumica po bën çdo gjë për të kapur Kushtetuesen, presidenti po bën gjithcka për ta mbrojtur”.





