E diel, 15 Nëntor 2026 Film TV deri në 04:35 Në vijim ora 04:35: Trazira në Parajsë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Politikë

Berisha kërkon votën e shkodranëve! Kreu i PD: Mos mbështesni Tom Pazarin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbylli fushatën elektorale në Shkodër, qarkun e njohur si bastion i së djathtës.

Mitingu në Shkodër u zhvillua pak orë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi për një gazetar amerikan se Berisha mund të udhëtojë në SHBA, dhe lideri i opozitës shfrytëzoi këtë lajm për të falënderuar shkodranët të cilët e mbështetën dhe i dhanë atij fitoren e parë elektorale më 6 marsin e vitit 2022.

“E vërteta triumfoi. Ndaj dhe një mirënjohje të pakufishme për presidentin Trump që i preu kokën gjarprit Soros në Uashington. Por një mirënjohje të thellë për të gjithë ju që qëndruat, nuk u mposhtët dhe votuat PD edhe në kohërat më të vështira”, tha Berisha.

Berisha ftoi shkodranët që, para se të votojnë, të mendojnë për jetën e tyre në 12 vitet e qeverisjes së PS. Sipas Berishës, këto vite sollën largimin e 1 milion shqiptarëve, varfërimin e qytetarëve dhe vetëm PD mund ta bëjë të nesërmen më të mirë.

Reklamë

“Do të vendosim minimumin jetik 200 euro. Do të vendosim rrogën minimale 500 euro. Do të vendosim kartën e konsumatorit ku ata që marrin rroga të ulëta dhe pensione do të kenë 20 përqind më lirë ushqimet”, u shpreh ai.

Tre ditë para zgjedhjeve, kryetari i PD u bëri apel shkodranëve të mos votojnë Tom Doshin.

“Qytetarë të mençur të Shkodrës, u bëj thirrje, asnjë votë për Tom Pazarin. Asnjë votë. Vota për Tomën është e tëra votë për Edi Ramën. Toma është skllavi i Edi Ramës”, tha kryetari i PD.

Në krahun e Berishës në Shkodër ishte edhe strategu i fushatës elektorale të presidentit amerikan Trump, Chris LaCivita.

“Ju ishit të parët që rrëzuat monumentin e një prej vrasësve më të mëdhenj të historisë, Joseph Stalin. Tani ka ardhur koha të rrëzoni një tjetër monument të dështuar, Edi Ramën. Rrëzoni korrupsionin! Rrëzoni dështimin ekonomik! Rrëzoni varfërinë!”, u shpreh Chris LaCivita.

Pas Shkodrës, Berisha mbylli fushatën elektorale edhe në Lezhë.

Më shumë video

Reklamë