Pak ditë më parë, Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp, mohoi të ketë kërkuar marrjen e një vize për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, para zgjedhjeve.
Por, dokumentat e siguruara nga Vizion Plus, tregojnë se Berisha, nëpërmjet kompanisë së Lobimit Continental Stategy, i është drejtuar 2 herë Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, me kërkesë për vizë në SHBA.
Kërkesa e parë është bërë në datën 28 mars, tre ditë përpara nisjes së fushatës zgjedhore. Ajo është firmosur nga përfaqësues të disa shoqatave shqiptaro-amerikane, mes të cilëve edhe Nuredin Seci që është garantuesi i kontratës së lobimit, me vlerë 6 milionë dollarë.
Nëpërmjet këtij dokumenti i kërkohet Sekretarit të Shtetit të pajisë me një vizë njëkalimshme afatshkurtër Sali Berishën. Kërkesa është dorëzuar nga Continental Strategy, në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
“Ne jemi të nderuar të dërgojmë këtë kërkesë formale për të lëshuar një vizë hyrje-dalje për Profesor Doktor Sali Berishën kreun e PD-s në Shqipëri për të vizituar Shtet e Bashkuara të Amerikës. Doktor Berisha është ftuar nga organizatat tona për tu takuar me komunitetin Shiptaro Amerikan në Shtet e Bashkuara”, thuhet në njoftim.
Qëllimi i kësaj vize thuhej se ishte takimi me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara gjatë fushatës elektorale.
Pas më shumë se një muaji që kjo kërkesë për të pajisur Sali Berishën me vize nuk mori përgjigje nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Continental PLLC, studio ligjore e lidhur me Continental Strategy, ka dërguar një letër të dytë, vetëm pak ditë më parë, në datën 1 Maj.
Në të kërkohet sërish që sekretari i shtetit Marco Rubio të heqë shpalljen non grata ndaj Sali Berishës.
“Revokimi heqja mund të ndodhë përmes një rishikimi të brendshëm, rikonsiderim politik apo ndryshim i politikave të administratës. Personi i sanksionuar apo avokatët e tij mund ta kundërshtojnë tek Sekretari i Shtetit përmes përcjelljes së shqetësimit apo lobimit për revokimin”.
Letra mbyllet me lutjen e lobuesve të cilët theksojnë se shpresa e vetme për klientin e tyre mbetet një vendim i sekretarit Marco Rubio.
/vizionplus.tv