Kryetari i PD, Sali Berisha, sulmoi sërish listat e hartuara nga Partia Socialiste me kandidatët për deputetë për garën e 11 majit.
“Grupi i parë i listës së Edi Ramës është i përbërë nga njerëz që, pa përjashtim, kanë dosje të rënda në SPAK, aferash korruptive ndër më të mëdhatë dhe lidhje me krimin ndër më të tmerrshmet. Simbol i kësaj liste, përveç Edi Ramës vetë, është Taulant Balla. Grupi tjetër është grupi i patronazhistëve famëzinj, të cilët nuk kanë ligj as moral, mercenarë të vërtetë që shkelin Kushtetutën për privilegjet e tyre dhe për të mbrojtur pushtetin. Vendosen në lista, sepse njëri thotë se Rama është Zeus, dhe tjetri thotë se Rama është 10 hapa para”, tha Berisha.
Sali Berisha është i bindur se më 11 maj, fitorja do t’i takojë opozitës dhe Partia Demokratike do të rikthehet në pushtet.
“Më 11 maj, Shqipëria madhështore do realizojë fitore të thellë. Kam parë një entuziazëm të madh tek shqiptarët në Shqipëri dhe jashtë saj. Sa i përket premtimeve të Ramës për integrim në BE, janë përralla. Nuk ka asnjë shans që Shqipëria, me këto rroga e pensione, të hyjë në Bashkimin Europian.”
Pasi PD të jetë në mazhorancë, Berisha premtoi gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët rritjen e pagës minimale, mbështetje për sektorin e bujqësisë dhe heqjen e pagesave për kalimin në rrugët e vendit.
/vizionplus.tv





