Subscribe

Në mbledhjen e parë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi se synimi kryesor i PD është fitorja në zgjedhjet lokale të 14 majit.

 

Sipas kreut të demokratëve, Berisha, opozita ka trupën më të mirë të kandidatëve të përzgjedhur nëpërmjet primareve dhe është gati për betejën elektorale.

 

SALI BERISHA

 

KRYETAR I PD

 

“Të përpjekjeve më të mëdha për zgjedhjet e 14 majit, të sigurtë drejt fitores.

 

Por në prag të betejës për 61 bashkitë e vendit, Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të deformojë vullnetin e qytetarëve. Sipas Berishës treguesi më i qartë për këtë përpjekje është marrja peng e vulës së Partisë Demokratike. Kryetari i PD solli në vëmendje se gjykata e shkallës së parë ia ka dhënë vulën, por është qeveria e cila pengon hedhjen e këtij vendimi në regjistrin e partive politike.

 

“Është vetëm Edi Rama që ai nuk lejon me një kancelar, me një sekretare, që ka detyrë absolutisht ligjore, të çojë aktin në regjistër. Kjo është e vërteta. Pra, nuk është problem gjykate, është problem Edi Rama.”

 

Por Berisha beri përgjegjës kryeministrin Edi Rama edhe për zhvillimet brenda grupit parlamentar të PD, dhe përjashtimin e 4 deputetëve nga Enkelejd Alibeaj.

 

“Përveç Koresë së Veriut, nuk mund të gjesh parlament në botë, që të dalë një i vetëshpallur kryetar grupi dhe të përjashtojë katër deputetë nga grupi pa asnjë bazë, rregullorja nuk e përjashton këtë.”Ky është një akt i padëgjuar ndonjëherë në histori. Është prapë Edi Rama. Ka prej jush që thonë Alibasha. Jo, ata janë lëvozhga njerëzore, nuk janë as njerëz. Nuk kemi pse merremi me ta.”

 

Por ndërsa kryetari i PD Sali Berisha akuzonte liderin e mazhorancës për situatën në PD, një tjetër deputet demokrat lajmëroi se do të lërë mandatin. Deputeti i Vlorës, Fatjon Veizaj, në një postim në rrjetet sociale sqaroi se refuzon përjashtimin e deputetëve, por edhe lëvizjen për të shkarkuar Enkelejd Alibeajn e për shkak të thellimit të krizës në PD vendosi të dorëzojë mandatin. Fatjon Veizaj është deputeti i tretë në harkun kohor të tre muajve që dorëzon mandatin e deputetit të Partisë Demokratike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *