Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha përsëriti vullnetin për të zhbërë reformën në drejtësi.
Berisha shfrytëzoi ceremoninë ku të rinjtë e PD prezantuan” Librin e Zi të Rilindjes”, një përmbledhje kritikash për qeverinë socialiste, për të deklaruar se rreziku më i madh për vendin sot është drejtësia politike.
“Askush të mos mendojë se kjo drejtësi dallon nga një drejtësi e diktaturës. E them këtë sepse duke u nisur nga disa ndëshkimet që u bëhen zyrtarëve të korruptuar, duan të përligjin përdorimin e saj si shpatë politike kundër kundërshtarëve. Po kjo është diktaturë”, tha Berisha.
Sipas Berishës reforma në drejtësi u realizua nga Xhorxh Sorros dhe është simbol i korrupsionit ndërkombëtar.
“Nuk ka proces ligjor të ndershëm nëse pret 15 vite për të marrë vendimin. Dhe u dashka ne të pranojmë të lëmë qytetarët tanë pa sistem drejtësie për një akt korrupsioni ndërkombëtar të paparë? Kurrë”, tha kreu i PD.
Kreu i PD Berisha nuk e përmendi SPAK-un, por theksoi se opozita nuk do të pranojë një prokurori politike.
“Ju mor të bërtisni, u them këtyre që bërtasin nga mëngjesi gjer në darkë se po sulmohet sistemi, jo mor, po mbrohen qytetarët. Se ky është një krim i shëmtuar, të lësh një popull pa proces gjyqësor të drejtë, i ke bërë gjëmën atij populli. Ndaj dhe reforma do bëhet. Ne do reformojmë. Nuk është çështje hakmarrje, por çështja është se prokurori politike është diktaturë”, tha Berisha.
Kreu i PD Sali Berisha deklaroi pak javë më parë se do ta shkrijë SPAK-un, por më pas ai u tërhoq nga kjo deklaratë duke theksuar se PD do të bëjë një reformë të re në drejtësi në bashkëpunim me komisionin e Venecias./vizionplus.tv





