Berber, lokale të hapura dhe shitje maskash pa faturë/ Procedohen penalisht 5 persona

Policia e Shtetit ka proceduar penalisht dhe ka ndëshkuar me gjobë 5 administratorë lokalesh dhe njësive të tjera tregtare që vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19, si dhe të atyre që përfitojnë duke fshehur të ardhurat.
Shërbimet e policisë kanë konstatuar për herë të dytë në Durrës shtetasin N. K. duke ushtruar aktivitetin e berberit në mënyrë të paligjshme. Për pasojë, aktiviteti i tij u pezullua për 6 muaj.
Në Tiranë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit E. H. dhe D. K., për veprat penale “Tregtim dhe transportim i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagim i taksave dhe tatimeve”.
Shtetasi E. H. është kapur nga shërbimet e Policisë në rrugën “Myslym Shyri” duke tregtuar maska dhe doreza pa faturë tatimore, të cilat ia kishte dhënë për t’i shitur D. K.
Ndërkohë, në Elbasan është proceduar penalisht Z. Ç., pasi gjatë kontrollit, uniformat blu konstatuan të hapur një bar-kafe, brenda të cilës u gjetën edhe disa persona që pinin kafe.
Po ashtu, në të njëjtin qytet, është proceduar penalisht dhe administrativisht shtetasi D. P., pasi u kap duke ushtruar i papajisur me licencë, aktivitetin në lokalin e tij “Bar-Kafe”, në lagjen “Sulë Paprri”.




