Beqir Devolli u vra me tritol, zbardhet atentati në Gjirokastër, arrestohen dy persona, dy në kërkim!

Drejtori i Policisë Vendore të Gjirokastrës, Altin Merizaj, në një konferencë për mediat ka bërë me dije se është zbardhur atentati me tritol i datës 10 tetor në bulevardin “18 Shtatori”. Si pasojë e shpërthimit në automjet humbi jetën Beqir Devolli.
Në kuadër të operacionit policor “GJURMA”, janë ndaluar dy persona dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë, të dyshuar për përfshirje në ngjarje.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:00, përballë Prokurorisë së Gjirokastrës, ku automjeti tip “Benz”, në të cilin udhëtonin Beqir Devolli, 48 vjeç, dhe Erigels Mela, 26 vjeç, shpërtheu në lëvizje. Si pasojë, drejtuesi i automjetit humbi jetën, ndërsa pasagjeri mbeti i plagosur lehtë.
Sipas hetimeve paraprake, lënda plasëse dyshohet se ishte vendosur poshtë sediljes së shoferit. Për zbardhjen e ngjarjes u ngrit një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës.
Në kuadër të operacionit “GJURMA”, u ndaluan Behar Zyberi, i njohur edhe si Behar Heqimaj, 64 vjeç, banues në Fier, dhe Shpëtim Malasi, 42 vjeç, banues në Patos.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim Gentjan Zhupa, 38 vjeç, banues në Tepelenë, dhe Kliton Omeri, i njohur edhe si Kliton Nanushi, 44 vjeç, banues në Tiranë. Sipas Policisë, dy personat e shpallur në kërkim dyshohet se janë larguar jashtë vendit pas ngjarjes.
Nga hetimet, katër personat dyshohet se kanë pasur role të ndryshme në organizimin dhe vendosjen e lëndës plasëse në automjet, me qëllim vrasjen e Beqir Devollit. Dyshohet se ngjarja lidhet me konflikte për pazare në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike në shtetet evropiane.
Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar një motomjet pa targa, që dyshohet se është përdorur për vendosjen e lëndës plasëse, dy automjete, tre telefona celularë, 2 500 euro dhe rreth 130 mijë lekë.
Dy personat e ndaluar dyshohen për veprën penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78 dhe 25 të Kodit Penal.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se mund të kenë qenë të përfshirë.




