Belind Këlliçi u paraqit sot në SPAK për hetimet e dosjes “5D” të kallëzuar nga vetë ai.
Pasi la Prokurorinë, drejtuesi politik i Tiranës tha se duhet hetuar gjithë zinxhiri drejtues i Bashkisë së kryeqytetit.
“Kam kërkuar të hetohet roli i administratorit Nestor Muhametllari, i cili është i lirë dhe nuk ka ende asnjë masë. Mendoj se dëshmia e tij do shërbejë për zbardhjen e kësaj ngjarje. Të hetohen personat e përfshirë dhe roli i titullarëve të autoritetit kontraktor që deri në 2021 që ka qenë Veliaj dhe më pas Mazniku. Kam kërkuar ti shkohet deri në fund rolit të shtetasve Herjon Rrapaj, që kishte nën menaxhim fabrikën e asfaltit në Krrabë ku kryhej evazion fiskanal, shtroheshin rrugët me asfaltin e Bashkisë Tiranë, me burime njerëzore të Bashkisë Tiranë, tenderoheshin fiktivisht këto vepra publike, më pas paratë hidheshin në fushatë”, tha Këlliçi.
Këlliçi deklaroi se i kërkoi SPAK të hetojë edhe krimet zgjedhore dhe sipas tij paratë e përfituara nga dosja “5D” kanë shkuar për fushatë zgjedhore.
“Kam kërkuar nga SPAK të hetohet krimet zgjedhore gjatë periudhës që kanë administruar përgjimet telefonike bazuar në informacionin që kam. Rezulton se paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme nga shtabi elektoral i Veliajt dhe drejtorët e 5 D janë hedhur në fushatë elektorale. Nuk mbyllet ky hetim me personat ndaj të cilëve është marrë një masë, është një hetim i zgjeruar. Të hetohet si grup i strukturuar kriminal”, tha Këlliçi.
Në fund ish-deputeti demokrat tha se duhen sekuestruar asetet dhe paratë e rrjedhura nga veprimtaria kriminale e “5D”, që është vënë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.
Në 15 maj, SPAK firmosi 9 fletëarreste për zyrtarë e ish- zyrtarë të Bashkisë së Tiranës. Për tre prej tyre Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar masën shtrënguese të “arrestit në burg”, ndërsa për 6 të tjerët detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore.
Sipas organit të akuzës, në bashkëpunim ata krijuan kushtet që në shtatë procedura tenderimi, fituese të shpallej kompania që indirekt ishte zotëruar prej tyre, fakte të bëra publike nga SPAK.
Në bashkëpunim ata akuzohen për Korrupsion, Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike dhe Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive./vizionplus.tv





