Murit me Meksikën, ndërtimi i të cilit synon të ndalë vërshimin e emigrantëve, presidenti amerikan ka menduar që t’i vendosë panele diellore. Idenë Donald Trump e prezantoi gjatë një takimi në Iowa. Panelet sipas tij, do të siguronin energji të lirë dhe do të lejonin Meksikën të paguante më pak për murin.
“Po mendojmë për diçka unike, po flasim per kufirin jugor, ku ka shumë diell, shumë nxehtësi. Po mendojmë ta ndërtojmë murin si një mur diellor, qe prodhon energji dhe paguan për veten. Kështu, Meksika do të paguajë më pak para dhe kjo është diçka e mirë. Panele diellore, goxha imagjinatë, ishte ideja ime.”
Ndonëse Trump theksoi se kjo ishte ide e tij, mësohet se një kompani i kishte përfshirë panelet diellore në projektin e saj për murin me çelik dhe çimento. Gjatë fushatës zgjedhore, Trump premtoi ndërtimin e një muri për të shmangur kalimin e paligjshëm të kufirit dhe trafikun e drogës, që do të paguhet nga Meksika, ide që nuk u prit mirë nga homologu meksikan Enrique Pena Nieto.