Bashkimi Evropian është i qartë në kërkesën e tij, institucionet e drejtësisë të hetojnë nëse në zgjedhjet e 25 Prillit pati blerje të votës dhe se rruga e vetme e opozitës është parlamenti.

Oliver Varhelyi, Komisioneri për Zgjerimin theksoi se Bashkimi Evropian është në pritje të rezultatit të ankimimeve pasi do të ndjekë me kujdes gjithë procesin e shqyrtimit të pretendimeve të partive politike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

 

OLIVER VARHELYI

KOMISIONER I ZGJERIMIT NE BE

“Ne dëshirojmë të shikojmë të gjitha parregullsitë që do të shqyrtohen, qoftë edhe blerjen e mundshme të votave, që të ndiqet nga të gjitha autoritetet gjyqësore. Pas këtij procesi do të na duhen rezultate përfundimtare. Pa një parlament të plotë, nuk është e mundur që të ecet në rrugën drejt Bashkimit Evropian.  Pra, ne po presim rezultatet e procesit të ankimimeve, nëse Konferenca e parë Ndërqeveritare do të ndodhë në Qershor.”

 

Ftesën për të bashkëpunuar me Partinë Demokratike dhe drejtuesin e saj Lulzim Basha, dhe lënien pas të gjuhës së konfliktit politik, kryeministri Edi Rama e ri-artikuloi edhe në prezencë të përfaqësuesit të Bashkimit Evropian.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

“Partia Demokratike  është e mirëpritur, kurdo qoftë dhe sidoqoftë, të kthehet me këmbë në të tokë për të hapur një proces diskutimi krejtësisht pa asnjë kusht për mënyrën se si ne mund të kontribuojmë bashkërisht, për të shtyrë sa më shumë përpara punët dhe patjetër dhe integrimin evropian të Shqipërisë.”

 

Oliver Varhelyi dhe Edi Rama e përjashtuan ekzistencën e të ashtuquajturës “non-paper”, që dokument i publikuar nga mediat e huaja sipas të cilit kryeministri i Sllovenisë Janez Jansha i ka propozuar Këshillit Evropian për të ri-përcaktuar kufijtë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 

OLIVER VARHELYI

KOMISIONER I ZGJERIMIT NE BE

“Është si një stinë ku duket se kanë lulëzuar dokumente të tilla që quhen “non-paper”. Janë interesante për tu lexuar lajme të tilla, por asnjë nga këto “non-paper” nuk është i vërtetë. PO të ishin, do të ishim të shqetësuar sepse e dimë që ri-përcaktimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor e dimë të gjithëve ku na çon kjo lloj gjëje. Asnjë preson serioz nuk do ta vinte në tryezë për të diskutuar këtë gjë e në veçanti në këtë rajon. Nuk janë ide të vërteta, por ndoshta u shërben më shumë disa synimeve të tjera.”

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

“Ne duhet të ulim prodhimin e historisë e duhet të rrisim prodhimin e ekonomisë. Vizioni dhe bindja ime është e shpallur, Shengeni Rajonal, është rruga ku ne duhet të ecim përditë, ndërkohë që diskutojmë në mënyrë civile mos-dakordësitë tona. Çdo përpjekje për të dhënë çelësa magjikë që i hapin dyert e të ardhmes  me një të rënë të lapsit, çon vetëm në atë që kemi parë në të shkuarën e Ballkanit e që nuk duhet të përsëritet më kurrë.”

Në vizitën pak-orëshe në aeroportin “Nënë Tereza”, pas sjelljes së dozave të para të vaksinave Pfizer nga Bashkimi Evropian, Komisioneri për Zgjerimin u takua në të njëjtin mjedis, atë të aeroportit me liderin e opozitës Lulzim Basha, ku gjendej dhe Edi Rama. Kryedemokrati e njohu përfaqësuesin  e Bashkimit Evropian me manipulimin që sipas tij i është bërë procesit zgjedhor përmes shitblerjes, përdorimit të personave me precedentë penalë dhe shpërdorimin e parave të buxhetit të shtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *