Subscribe

Teksa këtë të enjte PS dhe PD do të çelin zyrtarisht fushatën elektorale, delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri u bëri thirrje partive që të tregojnë vetëpërmbajtje. Në një deklaratë për mediat, BE shprehet se fushata elektorale duhet të jetë e qetë dhe pa gjuhë urrejtjeje.

 

“Nisja e fushatës zyrtare është rasti që partitë politike dhe kandidatët t’i përqendrojnë debatet e tyre te programet përkatëse politike dhe reformat që synojnë të paraqesin për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve. Në këtë pikë, kujtojmë rëndësinë e dialogut politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, siç ilustrohet veçanërisht në konsensusin e gjerë ndërpartiak që çoi në marrëveshjen e 5 qershorit të Këshillit Politik mbi reformën zgjedhore. E njëjta frymë duhet të frymëzojë një fushatë elektorale që bazohet në respekt të ndërsjellë, dialog dhe vetëpërmbajtje, si dhe zhvillohet në një mënyrë paqësore, pa retorikë provokuese apo gjuhë urrejtjeje.”

 

Sa i takon ditës së zgjedhjeve, thirrja e BE shkon për një proces transparent e të ndershëm, rezultati i të cilit të njihet në fund nga të gjithë aktorët politikë.

 

“Zgjedhjet transparente, gjithëpërfshirëse, të lira dhe të ndershme, si dhe respektimi i rezultatit të tyre, janë të rëndësishme për të siguruar legjitimitetin e Asamblesë dhe qeverisë së re. Ne kemi besim se të gjitha institucionet përkatëse shqiptare dhe aktorët politikë do të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ne i inkurajojmë qytetarët e Shqipërisë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, duke respektuar të gjitha masat kundër pandemisë COVID-19.”

 

Referuar deklaratës, delegacioni i BE dhe ambasadat e shteteve anëtare të BE do të vizitojnë një numër të madh vendvotimesh ditën e zgjedhjeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *