BE nën presion: Trump shpall tarifa, katër shtete kërkojnë kundërmasa

Tensionet tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian janë përshkallëzuar pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave 30% ndaj të gjitha mallrave të importuara nga BE-ja dhe Meksika, duke nisur nga data 1 gusht.
Vendimi ka nxitur reagime të forta nga vendet kryesore evropiane, të cilat i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian të përgatitet për kundërmasa dhe të ndjekë një qasje negociuese “pragmatike”, por edhe të vendosur.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se BE do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e saj, duke përfshirë edhe miratimin e kundërmasave proporcionale nëse nuk gjendet një zgjidhje deri më 1 gusht.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi se “Bashkimi Evropian mbetet i fortë, i bashkuar dhe i gatshëm për të mbrojtur interesat e tij”, ndërsa kritikoi tarifat si nxitëse të inflacionit dhe pengesë për rritjen ekonomike.
Franca kërkoi që përgatitjet për kundërmasa të përshpejtohen, me presidentin Emmanuel Macron që theksoi nevojën që BE-ja të tregojë vendosmëri në mbrojtjen e interesave të saj.
Gjermania, përmes Ministres së Ekonomisë Katherina Reiche, bëri thirrje për negociata pragmatike me SHBA-në, ndërsa Italia, përmes zyrës së kryeministres Giorgia Meloni, shprehu besimin se mund të arrihet një “marrëveshje e drejtë”.
Nga ana tjetër, kryeministri holandez Dick Schoof e cilësoi vendimin e SHBA-së si “shqetësues” dhe kërkoi që BE-ja të mbetet e bashkuar dhe të punojë për një zgjidhje të dobishme për të dy palët.
/vizionplus.tv




