BE konfirmon mbështetjen për Ukrainën, liderët e Unionit kritikojnë Rusinë për mosrespektimin e marrëveshjes energjitike

Përballë një ndryshimi në dukje të qasjes së amerikanëve ndaj luftës mes Ukrainës dhe Rusisë, në ditën e dytë të takimeve liderët e Bashkimit Europian të mbledhur në Bruksel kanë rikonfirmuar edhe njëherë mbështetjen e unionit për Ukrainën. Sipas Presidentit të Këshilit Evropian Antonio Kosta, ky nuk është momenti që BE të tërhiqet nga mbështetja për Zelenskin.
“Mesazhi ynë për Presidentin Zelensky është shumë i thjeshtë. Mbështetja e Bashkimit Evropian për Ukrainën mbetet po aq e fortë sa gjithmonë. Nuk është koha për të tërhequr mbështetjen për Ukrainën. I dashur Volodimir, mund të mbështetesh tek ne jo vetëm për të të mbështetur në luftë, por më e rëndësishmja për të ardhmen tënde si anëtar i Bashkimit Evropian”, tha Costa.
Edhe presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen ndërsa ritheksoi mbështetjen për Ukrainën, kritikoi Rusinë për mosrespektimin e marrëveshjes së armëpushimit energjitik të ndërmjetësuar nga SHBA.
“Ne e mbështetëm armëpushimin energjetik të Presidentit Trump, por kemi parë që Rusia nuk e respektoi atë në asnjë moment të vetëm. Rusia po përpiqet me çdo kusht për të shkatërruar infrastrukturën e energjisë dhe ujit, por ne qëndrojmë në anën tuaj. Do t’ju mbështesim”, tha Von der Leyen.
Presidenti Zelensky risolli në vëmendje nevojën e vendit të tij për situatën energjitike, ndërsa u shpreh se Rusia nuk po bën asnjë hap drejt përfundimit të luftës.
“Në të vërtetë, axhenda jonë është nevoja për energji; kjo është pika numër një. Ne duam ta përfundojmë këtë luftë sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk shohim asnjë sinjal nga pala ruse se ata janë gati ta përfundojnë atë. Kjo është arsyeja pse duhet të përgatitemi për dimrin që po vjen”, tha Zelensky.
Ndërkohë samiti i mbledhur për buxhetin e ri duket se po nxjerr në pah përplasjet e Bashkimit Europian me SHBA, ku presdenti Trump e ka quajtur Zelenksin si personin jo të duhur për arritjen e kompromisit dhe marrëveshjes së një armëpushimi energjitik.




