Bashkimi Evropian arriti një marrëveshje historike për emigrantët, e cila ka për qëllim ndarjen në mënyrë të barabartë mes vendeve anëtare, të kostove dhe punës së pritjes së emigrantëve në kufijtë europianë.

Përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe të qeverive të BE-së arritën marrëveshjen “Pakti i ri për migracionin” pas bisedimeve të gjata, ndërsa pritet të hyjë në fuqi gjatë vitit të ardhshëm.

“Pakti i ri për migracionin” do të mbulojë kontrollin e emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në BE, procedurat për shqyrtimin e kërkesave për azil, rregullat për përcaktimin se cili vend i BE anëtar është përgjegjës për trajtimin e aplikimeve. Numri i refugjatëve në Bashkimin Evropian është ulur krahasuar me kulmin në vitin 2015, por  është rritur sërish ndjeshëm në tre vitet e fundit.

Deri në muajin nëntor shifrat arritën në 255 mijë, pjesa më e madhe e të cilëve kanë kaluar përmes Mesdheut, nga Afrika në Itali ose Maltë.

Sipas sistemit të ri, vendet që nuk janë në kufi do të kenë dy zgjedhje, ose do të pranojnë emigrantë nga vendet kufitare ose do t’i paguajnë BE-së një fond të caktuar. Marrëveshja është përshëndetur nga liderët e BE, ndërsa organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, e ka kritikuar dhe është shprehur se ajo do të vështirësojë më shumë rrugëtimin e çdo emigranti apo azilkërkuesi.

Për përballimin e fluksit të emigrantëve është angazhuar edhe Shqipëria jashtë paktit të BE. Muajin e kaluar kryeministri Rama dhe homologia italiane Meloni nënshkruan marrëveshjen, e cila do të sjellë në Shqipëri rreth 36 mijë emigrantë në vit.

Ndërkohë pas shumë muajsh debat, edhe Franca ka miratuar sot një ligj të ri për emigrantët. Me rregullat e reja emigrantët do të kenë më të vështirë për të marrë familjarët e tyre në Francë, ndërsa do të zgjatet edhe periudha për të marrë përfitimet nga shteti. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *