Pas eliminimit nga Champions League-a, Arsene Wenger vazhdon me trazira sezonin, mbase të fundit, me Arsenalin. Sfida e radhës është në Kupën e Federatës së Anglisë, ku përballë “Topçinjtë” do të kenë një skuadër modeste sikurse Lincoln City, por që mund t’u hapë atyre probleme.

 

“Djajtë” vijnë nga kategoria e pestë angleze dhe me kualifikimin në cerek-finale u bënë e para skuadër jo-lige që vjen në këtë nivel pas 103 vitesh. Ata kanë treguar se mund të bëjnë befasinë, pasi deri më tani kanë eliminuar skuadra nga Premier League si Burnley, apo nga Championshipi sikurse Ipswich, apo Brighton.

 

BBC në fakt guxoi të nxjerrë disa statistika tejet interesante për Linclonin, madje duke vënë në lojë edhe Wengerin. Pas 6 sezonesh në kategorinë e pestë, këtë vit “djajtë” kanë shanse për t’u ngritur një kategori më lart, duke qenë se kryesojnë me 72 pikë. Por suksesi aktual në radhët e këtij klubi të krijuar plot 133 vite më parë, qëndron te trajneri. Nën urdhërat e 38-vjecarit Danny Cowley Lincoln ka mundur të arrijë cerek-finalet e Kupës së Federatës.

 

Sipas statistikave të nxjerra nga BBC, Cowley gëzon një formë edhe më të mirë se Wenger. Këtë sezon ai ka mbajtur një mesatare prej 64.7 përqind fitoresh dhe në tabelën e përgjithshme të trajnerëve është i dyti pas Antonio Contes që këtë statistikë e ka 77.7 përqind. Në këtë klasifikim Wenger është i pesti me 57 përqind fitore. Me një analizë të detajuar BBC nënkupton se nëse këtë fundjavë Arsenali do të dështojë sërish, atëherë për Wenger ky do të ishte përfundimisht fundi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *