BB: Duhen pensionet private! Rama: Lufta ndaj informalitetit shpëton skemën
Banka Botërore si institucioni ndërkombëtar që po negocion me qeverinë për reformimin e skemës së pensioneve ka evidentuar dy problematika që has sot skema, si dhe ka një sugjerim.
Sipas zyrtares së bankës për Ballkanin Perëndimor, rishikimi ligjor që u bë në vitin 2014 ka patur rezultate pozitive, por ai nuk mjafton.
“Skema e pensioneve në 2014 e ka përmirësuar ndjeshëm skemën në vetvete. Por emigrimi, informaliteti i lartë dhe nëndeklarimi i pagave po dëmtojnë skemën e pensioneve. Pensionet private duhet të ketë patjetër një rol plotësues, të jenë shtesë. Ndryshimet në skemë do të kenë sukses vetëm nëse publiku e kupton nevojën për reformimin e skemës. Informimi i publikut është me rëndësi publike”, tha Xiaoqing Yu –Drejtore e BB për Ballkanin Perëndimore
Gjatë një konference për reformimin e skemës, kreu i qeverisë Edi Rama tha se një nga sfidat po adresohet me aksionin anti informalitet.
“Pa diskutim kemi akoma hapësirë të konsiderueshme në luftën kundër informalitetit të pagave. Ka një ndryshim të rëndësishëm, sepse ka një rritje të rëndësishme të pagave në tërësi; ka një ndryshim të rëndësishëm, sepse edhe pas gjithë procesit të komunikimit që kemi pasur gjatë muajit shtator dhe tetor, është konstatuar në deklarimet e fundit të pagave një rritje e pagave të deklaruara dhe kontributeve, por ka akoma shumë hapësirë për të marrë më shumë në funksion të skemës të fondit të Sigurimeve Shoqërore”, tha Rama.
Paralelisht Rama në fjalën e tij kishte edhe një koment për premtimet që vijnë nga partitë politike për rritje të ndjeshme të pensioneve.
“Kur vjen puna tek pensionet, duke pasur parasysh edhe faktin që jemi afër një dite zgjedhjesh, të gjithë ata që nuk kanë asgjë në dorë, premtojnë gjithçka të dëshirueshme dhe të imagjinueshme, mirëpo të premtosh gjithçka të dëshirueshme dhe të imagjinueshme për pensionet, do të thotë t’i hapësh luftë fakteve. Do të thotë t’i kthesh kurrizin ekspertëve, ekspertizës, eksperiencës dhe të hidhesh symbyllur drejt një humnere; do të thotë që hajde të bëjmë një ditë feste me gjithçka kemi dhe pastaj nesër le të bëhet qameti”, tha Rama.
Plani i qeverisë është vijimi me bonuse për kategorinë e pensionistëve. Mosha e daljes në pension nuk ndryshon, ndërsa fokusi kryesor është formalizimi i tregut të pagave.




