Pas dy rasteve që janë dërguar të analizohen për Covid-19, Bashkia Pogradec pohoi se të moshuarve iu është ndaluar kategorikisht që të qëndrojnë në parqe.
Në njoftim thuhet se nëse pensionistët nuk e zbatojnë rregullin, do të ndërhyjnë efektivët e policisë.
“Me hir ose me pahir pensionistët nuk do të qëndrojnë më në parqe dhe lulishte. Falenderim për ata që sot e respektuan këtë udhëzim. Nuk duam që ti largojmë me polici dhe as ti gjobisim. Duam që të ruani shëndetin dhe familjarët tuaj nga #Covid19. Të gjithë ju që keni të moshuar mbajini në shtëpi. Në Korçë është konfirmuar një rast me #Covid19, në Pogradec 2 raste janë dërguar të analizohen raportojnë mediat dhe shpresojmë të dalin negative.”
Po ashtu, i bëhet thirrje qytetarëve që të vijojnë të qëndrojnë në shtëpi dhe të mbajnë higjienën personale për të ruajtur veten.
“Ju lutemi qëndroni brenda, ruani veten dhe higjenën personale. Kjo nuk është shaka por çështje jete. Sot pas orës 18:00 askush të mos dalë në shëtitore ose do të aplikohen gjobat sipas aktit normativ që ka hyrë në fuqi tashmë.”





