Në fshatin Menkulas, aty ku lindi dhe jetoi për disa vite poeti i madh Dritëro Agolli, nuk ka asnjë gjurmë të tij. Shtëpia ku lindi nuk është më. E vetmja ndërtesë që ishte planifikuar për t’u kthyer në një shtëpi muze të njeriut të letrave, tashmë është në një gjendje të mjerueshme. Më herët, kjo ndërtesë i është nënshtruar një rikonstruksioni ku është hapur vetëm një dhomë, me një fond të krijimtarisë së tij, e cila nuk u mirëmbajt dhe u shkatërrua në pak vite. Banorët shprehen se është e rëndësishme që të ketë gjurmë të shkrimtarit të njohur në vendlindjen e tij.

 

I kontaktuar, kryetari i Bashkisë së Devollit, Eduart Duro, tha se projekti për të kthyer zyrat e ish-kooperativës bujqësore në muze për Dritëro Agollin i përket vitit 2001. Në atë vit, ndërtesa u rikonstruktua pjesërisht dhe në një prej ambjenteve u vendosën një pjesë e vogël e fondit të veprave të shkrimtarit.

 

Bashkia do të marrë përsipër rikonstruksionin e gjithë ndërtesës për ta kthyer atë në multifunksionale, ndërsa muzealizimi pritet të bëhet nga Ministria e Kulturës. Sipas Duros, dikasteri i kulturës po përgatit një projekt, që ndërtesa në fjalë të kthehet në qendër multifunksionale, ku veç pjesës së muzeut për shkrimtarin e madh, do të funksionojë edhe si bujtinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *