Një operacion i madh ndërkombëtar është duke u zhvilluar në mënyrë të sinkronizuar mes Italisë dhe Shqipërisë, në kuadër të luftës kundër trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe shpërdorimit të detyrës. Autoritetet italiane dhe shqiptare kanë lëshuar 52 urdhër-arreste, mes të cilëve përfshihen emra të njohur si Visi i Pojës, një avokat dhe administratori i një kompanie udhëtimesh në Fier.
Në një konferencë për media të mbajtur paraditen e sotme, po japin detaje kryeprokurori i Barit, prokurori i Përgjithshëm i SPAK Altin Dumani, si dhe drejtori i Antimafias italiane, duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi ndërkombëtar.
“E ndoqa personalisht me grupin tim këtë aktivitet hetimi. Ishte shumë kompleks dhe e kemi çuar përpara me anë të metodave antimafia, përgjimeve telefonike, por e reja e këtij hetimi ishte analizimi i SkyECC. Kriminelët shqiptarë ndiheshin të sigurt që mund të përdornin këtë platformë dhe trafikonin lëndë narkotike në nivel botëror. Në skuadrën time kemi identifikuar personat që përdornin këtë platformë dhe i kemi ndarë rezultatet me SPAK. Kjo nuk do të ishte e mundur nëse nuk do të ishte ndarja e përditshme e informacionit me SPAK. Kemi folur çdo ditë për muaj të tërë dhe arritëm këtë”, zbuloi prokurori italian.
/vizionplus.tv





