Kryetari i PD, Lulzim Basha ka zgjedhur Parlamentin për të skicuar rrugën e tij në opozitë; një betejë kundër paraardhësit të tij Sali Berisha, kundër aleatit të 25 prillit, LSI e kundër kryeministrit Edi Rama. Basha ka hequr paralele mes 3 politikanëve dhe trekëndëshit të Bermudës, por sulmi i tij është pritur me ironi nga kryeministri Edi Rama, i cili i ka kujtuar të gjitha betejat e humbura zgjedhore.

 

LULZIM BASHA

KRYETAR I PD

“Bëni trekëndëshin e Bermudës dhe qani hallin bashkë të tre nëse i keni të njëjtat. Unë jam këtu për të qarë hallet e shqiptarëve, as të tuat as të Sali Berishës dhe as të Ilir Metës. As të atyre që ju rrinë nga mbrapa ju. Kështu që, ti të paktën dil hapur, mos u fshi. A do ta plotësojnë dëshirën ty demokratët të na kthesh pas? Të jesh i sigurt që jo. Jo, s’kanë për ta plotësuar, mua do më kesh përballë, jo Sali Berishën.”

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

“E kur thua ti që do apo nuk do, mua do më kesh përballë, vallaj kjo është pastaj çfarë të të them unë ty. Po unë ty të dua përballë gjithmonë, dihet ajo punë. Unë të kam dashur, të dua e do të të dua, e nuk di si të të ndihmoj, realisht.”

 

Basha, edhe njëhere ka vendosur të përmendë emrat e bizneseve që sipas tij përfitojne nga qeveria, por kryeministri Rama i ka sjellë në vëmendje se me këto deklarata thjesht po u vendos gjobë atyre.

 

Lulzim Basha

“Salillari 1.81 miliardë lekë, Alko Impleksi, nipat e Sadri Abazit 306.4 milionë, Bami  639 milionë, Start Tek 567 milionë. Geci 970 milionë , MANTECI  1.83 miliardë lekë, ndërtim montim Patos i inceneratorit  të Fierit 447.2 milionë lekë, Alb Star i kullës së stadiumit 415  milionë lekë, Fusha 334 milionë lekë.  Këto janë klientët ku ndan paratë ti.”

 

Edi Rama

“Po ndryshe nga ty, unë nuk jam nga ata që i gjëmojnë dynjasë me emra, se unë mendoj që çdokush në këtë vend ka të drejtën që të jetë në punën e vetë e për punën e vetë të përgjigjet përpara ligjit, të përgjigjet përpara organeve që merren me zbatimin e ligjit, nuk përgjigjet para teje, meje apo të gjithëve ne. E të marrësh mikrofonin, duke qenë i zgjedhur nga populli, e të rreshtosh emra njerëzish që janë kundër tyre, kjo ndodh vetëm kur vihen gjoba Lulzim.”

 

Ndërkaq, debati për procesin e rindërtimit u shoqërua me të qeshura për shkak të një lapsusi të liderit të opozitës, Basha.

 

Për herë të parë, kryeministri Edi Rama deklaroi se nëse vettingu në politik bëhet vetëm për të hequr vëmendjen nga kriza brenda PD, socialistët nuk do ta votojnë.

 

Lulzim Basha

“T’i marrim me radhë dhe ndryshe nga rregulli i vjetër, mos ta fillojmë nga plaku, po ta fillojmë nga i riu. E bëj unë i pari vettingun, mos ke merak, në të gjithë komponentët e tij. Bëje ti i dyti dhe pastaj të gjithë të tjerët në këtë sallë dhe të gjithë politikanët, nga i pari tek i fundit.”

 

Edi Rama

“Nëse na rezulton që kjo nismë është një kamerdare si ato të fëmijëve që fryhen me gojë për të bërë sikur notojnë, në formë peshkaqeni, atëherë ne do themi Lulzim, vazhdo vëlla, bëj rolin e peshkaqenit të gomës që të mbrohesh nga peshkaqeni i foltores. Nuk është puna jonë kjo.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *