Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Ramën se me propagandën e tij, po përpiqet të largojë vëmendjen nga dalja e përgjimeve për blerjen e  votave.

 

Kryedemokrati Basha në fjalën e tij ka thënë se prej ditësh në vendin tonë po zhvillohet një fushatë agresive nga Edi Rama dhe makineria e tij prej milona eurosh e propagandës për të shpërqendruar opinionin publik dhe mbuluar krimet e rënda që kanë ndodhur në bashkëpunim mes qeverisë dhe Partisë Socialiste, dhe krimit të organizuar.

 

Ndër të tjera në fjalën e tij lideri demokrat ka thënë se qëllimi i parë i propagandës është mohimi në mënyrë flagrante se në Dibër dhe në Durrës kanë ndodhur krime, duke e paraqitur marrëdhënien dhe bashkëpunimin krim-politik si marrëdhënie të pafajshme, pa qëllime kriminale.

 

“Qëllimi i parë i propagandës është mohimi në mënyrë flagrante se në Dibër dhe në Durrës kanë ndodhur krime, duke e paraqitur marrëdhënien dhe bashkëpunimin krim-politik si marrëdhënie të pafajshme, pa qëllime kriminale.  Me një arrogancë dhe shpërfillje ekstreme ndaj zgjuarsisë së njerëzve, bisedat për koordinimnin e vjedhjes të zgjedhjeve mes kokave politike të vendit me vrasës e trafikantë e të tjerë po shiten si biseda të pafajshme të politikanëve me votues apo të drejtuesve të qeverisë dhe vartësve të tyre. Një linjë tjetër e propagandës kriminale qeveritare dhe mercenarëve të tyre është relativizimi i krimeve që kanë ndodhur. Përmes pretendimit se vjedhja e zgjedhjeve nuk është gjë në lidhje me krimet e tjera të politikës. Si pjesë e kësaj strategjie sulmohet opozita, deri edhe me akuza të montuara politike, që qytetarët të mendojnë se janë të gjithë njësoj dhe marrëdhënia mes vrasësve dhe trafikantëve me qeveritarët nuk është ndonjë tmerr i madh.  Qëllimi tjetër i propagandës me frymëzim gëbelsian të qeverisë është paraqitja e situatës si normale. Ka një përpjekje për ta trajtuar vjedhjen e zgjedhjeve si dicka të zakonshme, si dicka normale, me shpresë që do kalojë dhe do harrohet. Këto teza i përhapin vetë njerëzit e përfshirë në krim dhe të gjitha levat e tyre në media dhe në jetën publike. Pamjet e Edi Ramës, Pjerin Ndreut, Damian Gjiknurit, Vangjush Dakos, Ulsi Manjës dhe gjithë politikanëve aleatë të krimit duke u sjellë me pafytyrësi arrogante ndaj veprimeve të tyre, janë pamje të neveritshme të një grupi njerëzish të cilët krimi i ka shpërfytyruar dhe i ka ktheyr në gënjeshtarë patologjikë si të gjithë ata që kanë varësi nga droga dhe krimet e tjera. Koka e gjithë kësaj sipërmarrje kriminale, Edi Rama nuk ka denjuar as për sy e faqe të bëjë sikur distancohet apo sikur kërkon hetim. Të gjithë këta shpresojnë se skandali do të kalojë. Por nuk do të kalojë.  Gjëja e parë që të hedhim poshtë propagandën gëbelsiane qeveritare, mënyra më e mirë për të mposhtur  atë është shprehja e të vertetës në mnëyrë të thjeshtë dhe direkte.”

 

Ndër të tjera Basha i është përgjigjur kryeministrit Rama i cili akuzon opozitën si dhunuese të zgjedhjeve duke theksuar se i vetmi dhunues zgjedhjesh në këtë vend është Rama dhe qeveria e tij.

 

“I gjithë shteti, nga Kryeministri tek punonjësit e fundit publikë kanë bashkëpunuar me njëri tjetrin dhe me krimin në mënyrë të qëllimshme dhe të planifikuar për të vjedhur votat. Edi Rama është planifikuesi, dhe drejtuesi i këtij konspiracioni kriminal dhe garantuesi i pandëshkueshmërisë së të gjithë atyre të përfshirë në të, nga politikanët dhe punonjësit publike tek kriminelët. Si rezultat, të gjithë ata që kanë kryer krimet zgjedhore vazhdojnë të jenë në postet që kanë pasur, ose më lart, dhe vazhdojnë të kenë në dorë proceset zgjedhore në Shqipëri.  Si rezultat, askush prej tyre nuk është marrë i pandehur dhe nuk po zhvillohet një hetim i vërtetë nga prokuroria që kontrollohet politikisht nga Edi Rama.”

Gjithashtu në deklaratën e tij për mediat mbrëmjen e kësaj të premtje kryedemokrati është shprehur se kriza ku jemi nuk është krizë që ka lindur nga shkaqe dhe procese politike, por sipas tij është një  krizë ea lindur nga shkaqe kriminale dhe nga procesi kriminal i bashkëpunimit të qeverisë dhe Partisë Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës me krimin e organizuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *