Basha: Shqipëria një vend pa ligj, të gjitha pushtetet i ka Edi Rama

Gjatë takimit të tij me mbështetësit e Partisë Demokratike në Shijak, Lulzim Basha është shprehur se beteja e nisur nga opozita për zgjedhjet e lira e të ndershme është një betejë për interesin e çdo qytetari shqiptar.
Basha ka thënë se kjo është një betejë në të cilën ne dorëzuam pushtet, sipas tij opozita nuk ka shkuar për të marrë pushtetit , por kanë dorëzuar karriget e tyre, mandatet, imunitetin, privilegjet për t’u rreshtuar krah për krah me qytetarët.
Kreu i opozitës nxori në pah faktin se këto 6 vjet, përballë opozitës ka qenë një kundërshtar i paprecedentë, një regjim kriminal, të cilit PD i është kundërvënë me një rezistencë të paprecedentë dhe me vendime politike të paprecedentë, që kanë rikthyer besimin e qytetarëve tek PD.
“Refuzimi i farsës së 30 Qershorit është edhe refuzimi i regjimit të Edi Ramës. Më 30 Qershor 85 % e shqiptarëve konfiguruan përmasat e shumicës së re në vend, shumicës “Rama ik”, me në krye Partinë Demokratike. Plaçkit buxhetin, plaçkit taksat, plaçkit prokurimet publike, koncesionet, PPP-të, tenderat, plaçkit bregdetin, pyjet, malet, minierat, naftën. Të gjitha janë plaçkitje dhe grabitje e hapur. Plaçkitje është Teatri Kombëtar, plaçkitje është Stadiumi Kombëtar, plaçkitje është Unaza e Re, plaçkitje është Milot-Balldreni, 10-fish i çmimit të një autostrade në Evropë, në popullin më të varfër të Evropës.”
Gjatë takimit me strukturat drejtuese të PD në Shijak, zoti Basha vuri në dukje gjendjen e rëndë të ekonomisë, si një nga shkaqet e refuzimit plebishitar të Edi Ramës.
“Kjo është koha më e zezë që po kalon ekonomia jonë. Ka vetëm një përgjegjës për varfërimin e shqiptarëve, për shpunësimin e shqiptarëve, për shkatërrimin e ekonomisë, për rritjen e kostos së jetesës, e cila është bërë e papërballueshme: 1 në 3 familje nuk paguan dot bukën e gojës, nuk mbyll dot muajin, me të dhëna zyrtare, 31 % sipas Eurobarometrit. Ka vetëm një arsye, është grabitja, plaçkitja që bën Edi Rama dhe banda e tij”.
Kryedemokrati Basha vuri në dukje arsyen kryesore pse shqiptarët kërkojnë ndryshim dhe vendosmërinë e PD për ta realizuar atë.
“Shqipëria sot është një vend pa ligj, pa rregulla, pa drejtësi. Në Shqipëri mbretëron një njeri i vetëm. Të gjitha pushtetet i ka Edi Rama. Ai kontrollon pasuritë dhe paratë e shqiptarëve. Në Shqipëri nuk udhëheq interesi i njerëzve, por sundon vullneti i Edi Ramës.- u shpreh kreu i opozitës. – Ne, nuk do të bëjmë asnjë hap pas për të luftuar tiraninë dhe autokracinë. Ne nuk do të bëjmë asnjë hap pas për të rikthyer tregun e lirë dhe iniciativën e lirë në duart e shqiptarëve. Nuk do të bëjmë asnjë hap pas deri në largimin e Edi Ramës!”




