Subscribe

Lulzim Basha e nisi prezantimin e programit të opozitës për pronat me një ndjesë drejtuar pronarëve, të cilët, sipas tij, prej tre dekadash presin drejtësinë e munguar.

“Ju lutem të nderuar pronarë të Shqipërisë pranojeni këtë dhe si një ndjesë, në emër të Partisë Demokratike për vonesat, për problemet me të cilat jeni hasur në rrugën tuaj në kalvarin tuaj 30-vjeçar edhe për shkak të përgjegjësive tona të papërfunduara. E them këtë me gjithë vetëdijen që i jam drejtuar edhe përndjekurve politik, me vetëdijen se as të përndjekurit dhe as pronarët nuk kishin dhe nuk kanë ku ta kërkojnë drejtësinë e munguar këto 30 vite përveçse tek shtëpia e lirisë, kjo është Partia Demokratike. Edhe sikur disa prej gabimeve dhe shtrembërimeve dhe mosveprimeve mos të kishin ndodhur gjatë qeverisjes tonë, që në fakt kanë ndodhur gjatë disa viteve të qeverisjes tonë, prapë se prapë kjo do të ishte një ndjesë e merituar sepse ne ju kemi dalë zot dhe ne duhet t’ju dalim zot deri në fund pronarëve dhe të përndjekurve politik.”

E pas ndjesës, Basha iu rikthye zotimeve, duke sulmuar ligjin e qeverisë Rama duke thënë se do të shfuqizohet.

“Qëndrimet tona kanë qenë të qarta dhe të prera për padrejtësitë e dyfishta që rëndojnë në kurrizin e pronarëve që prej vitit 2013. Ne e konsiderojmë ligjin e qeverisë Rama një shpronësim të dytë anti-kushtetues, anti-ligjor. Dhe jemi zotuar që ditën e parë të kalimit të atij ligji se do ta shfuqizojmë atë.”

Por cili është plan i Partisë Demokratike, pas shfuqizimit të këtij ligji?

“Kuadri i ri për çështjet e pronësisë do të jetë guri i themelit mbi të cilin do të ngrihet trajtimi nga qeveria karshi pronës private të pakthyer, pronës private të individit dhe pronës publike të nëpërkëmbur. Në emër të Partisë Demokratike angazhohem se kuadri I ri ligjor do të reflektojë reflektimin e parimeve themelore ku prioritetet do të jenë: kthimi i pronës, kompensimi fizik, pra në natyrë i pronës dhe… apo pjesa marrje me obligacione në fondet e investimeve publike sipas marrëveshjes me pronarët e shpronësuar. Garantimi dhe respektimi i titujve të pronësisë referuar një vendimi i formës së prerë administrative apo gjyqësor, të cilët në asnjë rast nuk do të preken pa një proces të rregullt ligjor. Garantimi i ekzekutimit të veprimeve përfundimtare të kompensimit të pronës të paekzekutuara, duke iu referuar zërit Kadastra të përcaktuar në to. Përfshirja në fondet e kompensimit fizike të pronave të konfiskuara për efekt të ligjit anti-mafia përfshirë edhe rastet e kontratave PPP apo koncesioneve korruptive.”

Një tjetër angazhim i Lulzim Bashës ishte dhe krijimi i një harte unike kadastrave me mbulimin në gjithë territorin e vendit dhe finalizimin e regjistrimit të titujve të pronësisë. Ndërsa në fund renditi dhe një tjetër prioritet:

“Krijimi i një agjencie ombrellë që përfshin të gjitha agjencitë që kanë në fokus pronën private dhe publike dhe kontrolli antikorrupsion brenda kësaj agjencie, adresimi i çështjeve të abuzimit me pronën në SPAK duke e kthyer tek pronari i ligjshëm, janë prioritete të qeverisjes tonë të ardhshme.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *