Subscribe

Kreu i PD, Lulzim Basha u zotua këtë të martë për përfundimin e reformës zgjedhore brenda muajit maj.

Ai deklaroi për mediat, pas takimit me ambasadoren amerikane, se është e domosdoshme që qytetarët t’u drejtohen sa më parë kutive të votimit.

“Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për t’u garantuar shqiptarëve mundësinë që t’u drejtohen një orë e më parë kutive të votimit dhe të zgjedhin qeverinë e tyre me votën e tyre të lirë, të pandikuar nga bandat kriminale, të pandikuar nga shitblerja e votës, të pandikuar nga paratë e korrupsionit. Jemi të vendosur për këtë betejë dhe do të bëjmë gjithçka që brenda 31 Majit, një afat që ne ia kemi kërkuar dhe ia kemi vendosur kësaj maxhorance, reforma të ketë përfunduar dhe, natyrisht, të bëjmë gjithçka që të garantojmë vullnetin politik për ta zbatuar ligjin, që është dhe problemi numër një me zgjedhjet në Shqipëri.”

Sipas liderit demokrat, kjo është e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën politike.

“Kjo krizë e thellë politike, kushtetuese dhe institucionale të marrë rrugëzgjidhje përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, ku shqiptarët të zgjedhin parlamentin dhe qeverinë që meritojnë me votën e tyre dhe, njëkohësisht, Shqipëria të ecë përpara, të mos mbahet peng i së shkuarës, por të hapë rrugën e integrimit europian dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE, që është dhe mbetet një nga zotimet kryesore ekzistenciale të PD që nga dita e saj e parë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *