E martë, 29 Shtator 2026 Zilia deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Basha: PD do të përfaqësohet në zgjedhje nga elita politike

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha takoi këtë të martë anëtarët e Komisionit për Vlerësimin e Kandidaturave në PD. Pas mbledhjes, Basha premtoi se kandidatët për deputetë nga radhët e demokratëve do të jenë figurat më të mira dhe të njohura.

Reklamë

“PD do të përfaqësohet në përballjen e ardhshme elektorale nga elita e saj politike, si dhe nga personalitete të shquara të jetës akademike dhe publike. Nisja e punës nga Komisioni i Vlerësimit të kandidaturave është vetëm faza e parë e seleksionimit të kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme. Ky është momenti të shpreh mirënjohjen për çdo anëtar të Partisë Demokratike, që kontribuoi në këtë proces të propozimit të kandidatëve, duke evidentuar më të mirët e më të mirëve, të cilët përbëjnë një korpus të rëndësishëm për administrimin e qeverisjes që shqiptarët do t’i besojnë PD-së dhe aleatëve të saj.”

Kryedemokrati theksoi se përzgjedhja e kandidaturave për zgjedhjet e ardhshme do të shënojë nisjen e demokratizimit të partive politike në Shqipëri.

Lulzim Basha tha se PD ka një program shpresëdhënës dhe se të gjithë janë të angazhuar maksimalisht për të ndryshuar pushtetin.

“Me modelin më të mirë të përzgjedhjes së kandidaturave, me programin shpresëdhënës dhe angazhimin tonë të plotë dhe serioz, motorrët e ndezur të fushatës sonë po çojnë përpara çdo ditë e më shumë procesin e pashmangshëm të rrotacionit politik. #ditëmëtëmira”

Vazhdo të lexosh

Reklamë