Basha: Ministrat nuk përfaqësojnë popullin, por pushtetin personal të Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në fjalën e tij në hapje të sesionit parlamentar, ka deklaruar se kuvendi tashmë përfaqëson antivlerën e ngritur në piedestal.
“Sot kjo sallë nuk përfaqëson interesin publik, sepse ata që kanë forcën e kartonave, e morën atë përmes forcës së krimit dhe sot e kësaj dite mbrojnë vetëm krimin. Ky Kuvend përfaqëson sot antivlerën e ngritur në piedestal, hajdutërinë e përzierë me arrogancën. U asgjësua Gjykata Kushtetuese, këtu nga kjo sallë u asgjësua edhe Prokuroria, e tani erdhi radha edhe e Partisë Socialiste. Sot qeveris vetëm një grup kriminelësh, sot ministrat apo deputetët nuk janë përfaqësues as të popullit dhe as të PS-së. Sot ka vetëm një pushtet personal të Edi Ramës”.
Ndër të tjera lideri demokrat ka komentuar figurën e pjestarëve të rinj të kabinetit Rama. Ai i ka quajtur ministret e reja “figurante” dhe “kukulla” të kryeministrit Edi Rama.
“Kush janë këto zonja? Anëtarët e Partisë Socialiste i njohin? Çfarë kontributesh kanë ata në këtë vend? Ato janë vetëm kukullat e Edi Ramës… Bëri si Ismail Qemalin dhe Hasan Prishtinën, por i ra fasada dhe doli si Enver Hoxha, edhe kryeministër edhe Ministër i Jashtëm. Asgjë e mirë s’mund të vijë nga kjo, faturën vazhdon ta paguajë populli, studentët. Faturën për këtë të marrë e paguajnë studentët”.
Sipas Bashës vendi është në një emergjencë kombëtare, ku sipas tij kryeministri është një i marrë dhe kërkon t’i poshtëroje shqiptarët deri në pikën e fundit.




