Basha me pensionistët: Kujdesuni për veten, Ramës nuk i intereson shëndeti juaj
Kryedemokrati Lulzim Basha takoi këtë të premte pensionistët, të cilëve bëri thirrje që të kujdesen vetë për shëndetin e tyre, pasi sipas tij qeveria ka dështuar në menaxhimin e situatës së shkaktuar nga COVID.
Lideri demokrat tha gjithashtu se qeveria i ka mundësitë që të rimbursojë paketën e plotë kundër përhapjes së koronavirusit. Po ashtu, ai siguroi se PD ka si synim që të përmirësojë jetën e qytetarëve.
“Kemi një kryeministër që nuk ka asnjë shqetësim për shëndetin e qytetarëve. Është detyrë e madhe të mbrojmë njëri-tjetrin, sepse qeveria nuk po bën asgjë për të na mbrojtur. Spitalet COVID janë mbushur plot, të sëmurët presin në ambulanca përpara spitaleve duke pritur të lirohen shtretër. Prej 5 javësh i kërkojmë t’u japë pensionistëve bonusin mujor 20 mijë lekë. Në vend që të punojë, rri në instagram dhe facebook duke bërë hokatarin. Edhe sa prej nesh duhet ta paguajmë me jetë papërgjegjshmërinë e këtij kryeministri. Jeta dhe shëndeti i qytetarëve janë gjëja më e rëndësishme që kemi. As COVID-i, as sëmundjet e tjera nuk po trajtohen në spitalet tona. U bëj thirrje të mbroni shëndetin tuaj vetë, se sa për qeverinë jemi vetëm. Kemi një kryeministër që nuk ka asnjë shqetësim për shëndetin e qytetarëve. Shqipëria i ka mundësitë që t’u ofrojë disafish më shumë ndihmë. Një minimum për pensionistët mund ta bëjë ky shtet. Pas 25 prillit, vendimet tona do të kenë synim të përmirësojnë jetën e qytetarëve.”
Nga ana tjetër, pensionistët ankohen se pensioni që ata marrin nuk mjafton as për ilaçet.
“Me 150 mijë lekë pension, nuk ke asnjë mundësi të mbrohesh. Pensioni që kam nuk më mjafton as për ilaçet. Ky shtet nuk mendon fare për ne.”




