Subscribe

Ndërkohë që palët janë në kulmin e përpjekjeve për zgjidhjen e krizës, kryetari demokrat Lulzim Basha i është drejtuar me një letër kundërshtarit politik kryeministrit Edi Rama. Basha pasi i bën të ditur se ka pranuar propozimin e të dërguarit të veçantë të Uashingtonit për zgjidhjen e krizës, i kërkon të bëjë të njëjtën gjë.

 

“Në emër të opozitës ju njoftoj se që prej ditës së djeshme, ora 12.00, opozita ka pranuar pa kushte propozimin e integruar të prezantuar si zgjedhje për krizën politike nga Ndihmës ZëvendësSekretari i Shtetit Yoyt Yee. Duke konfirmuar pranimin e plotë të propozimit të integruar, ju bëjmë thirrje që edhe ju të konfirmoni publikisht pranimin pa kushte të propozimit të SHBA, për t’i hapur rrugë zbatimit të kësaj pakete, me qëllim garantimin e kushteve për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm për qytetarët shqiptarë.Duke shprehur bindjen se propozimi i SHBA përbën rrugën e duhur për zgjidhjen e krizës, konfirmoj gatishmërinë e opozitës për implementimin e plotë të saj pa asnjë vonesë.”

 

Nuk ka vonuar përgjigja e kreut të qeverisë, i cili përmes Facebookut, i shkruan Bashës, duke thënë se nuk duhet të flasë në emër të Shteteve të Bashkuara.

 

“Lulzimbasha_al mos fol në emër të SHBA se flasin vetë! Lëri letrat publike, mos u fshih pas McAllister, fokusohu tek oferta që ke në tryezë.”

 

Shkëmbimi i replikave në distancë, vjen në momentin kur ambasadori amerikan Donald Lu vijon përpjekjet për të bindur palët për arritjen e një kompromisi. Diplomati amerikan pasi ka biseduar me kryedemokratin Basha në zyrën e këtij të fundit për rreth dy orë, ka shkuar në kryeministri, për të diskutuar me shefin e ekzekutivit. Shtetet e Bashkuara kanë saktësuar se mbështesin paketën McAllister dhe se negociatat duhet të bazohen tek ajo.

 

Ja letra e plotë

 

Z.Rama,

 

Në emër të opozitës ju informoj se që prej ditës së djeshme në ora 12:00 opozita ka pranuar pa kushte propozimin e integruar të prezantuar si zgjidhje për krizën politike nga Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit Hoyt Yee.

 

Duke konfirmuar pranimin e plotë të propozimit të integruar, ju bëjmë thirrje që edhe ju të konfirmoni publikisht pranimin pa kushte të propozimit të SHBA-së, për ti hapur rrugë zbatimit të kësaj pakete me qëllim garantimin e kushteve për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm për qytetarët shqiptarë.

 

Duke shprehur bindjen e se propozimi i SHBA përbën rrugën e duhur për zgjidhjen e krizës, konfirmoj gatishmërinë e opozitës për implementimin e plotë të saj pa asnjë vonesë.

 

Lulzim Basha

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *