Subscribe

Lideri i opozitës, Lulzim Basha ka konfirmuar nga Brukseli se Partia Demokratike në shtator do të jetë në Parlament.

 

Pas Asamblesë politike të Partisë Popullore Europiane, Basha ka deklaruar se Kuvendi është pjesë e betejës së opozitës kundër qeverisë duke mos përjashtuar dialogun me qeverinë.

 

“Dialogu politik është mjet nuk është qëllim në vetvete. Qëllimi ynë është të çlirojmë Shqipërinë dhe shqiptarët nga një bandë plaçkitësish që  e kanë marrë peng demokracinë e vendit. Dhe në funksion të kësaj, ne do të bëjmë gjithçka brenda dhe jashtë parlamentit, brenda dhe jashtë vendit në mënyrë që Shqipërisë një orë e më parë t’i kthehen kushtet dhe mundësitë për  një demokraci funksionale.”

 

Gjatë takimit në Bruksel, Basha ngriti problematikën e 25 prillit dhe dy çështjeve që sipas tij janë thelbësore në raport me zgjedhjet në Shqipëri.

 

“Blerjen masive të votave dhe shkrirjen në një të shtetit dhe partisë, si dhe nevojën për të hartuar së bashku një platformë për të kthyer legjitimitetin dhe demokracinë. “

 

Sipas Bashës, pa realizimin e zgjedhjeve me standarde nuk mund të ketë përparim në rrugën e integrimit në BE.

 

“Procesi i integrimit europian të vendit nuk mund të ecë përpara me një vend ku qeveria në vend që të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme është kapur për herë të dytë në flagrancë duke manipuluar në mënyrë masive dhe sistematike  zgjedhjet që nga vjedhja e të dhënave personale të shtetasve tek  keqpërdorimi i administratës tek intimidimi dhe shantazhimi i punonjësve publike dhe i zgjedhësve dhe ç‘është më e keqja tek vazhdimi i aleancës me krimin.”

 

Mbetet për t’u parë se çfarë do të kërkojë Lulzim Basha në shtator në Parlament për të garantuar që procesi i ardhshëm zgjedhor të jetë sipas standardeve ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *