Subscribe

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha është mbledhur sot për të diskutuar rreth marrëveshjes me Partinë Socialiste për normalizimin e situatës në parlament. Edhe pse konferenca e kryetarëve u shty, kreu i grupit Gazment Bardhi sqaroi se të dy palët po punojnë për të shkruar draftet që lidhen me ngritjen e komisioneve hetimore dhe strukturës që do të realizojë reformën zgjedhore.

“Ne iu qëndrojmë dakordësinë në parim në ,mbledhje dhe të përkthehet në vendimmarrje. Jemi duke punuar për të gjitha çështjet që ramë dakord. Grupi i PD i qëndron dakordësinë në parim të shprehur edhe dje. Urojmë që të finalizohet me vendimmarrje të Kuvendit”, tha Bardhi.

Lexo edhe :

Related Posts

Bardhi sqaroi se dakordësia  e arritur është realizuar brenda parlamentit, duke hedhur poshtë idenë se Edi Rama e Sali Berisha kanë bërë marrëveshje.

“Nuk ka asnjë marrëveshje me Edi Ramën. Ka dialog në konferencën për të zgjidhur situatën në Kuvend”, tha Bardhi.

E ndërsa pritet që të finalizohet marrëveshja mes PS dhe PD të drejtuar nga Sali Berisha, kritikat brenda demokratëve nuk kanë munguar. Për Ervin Salianjin kjo marrëveshje është dorëzim pa kushte.

“Çfarë kemi fituar? Kjo marrëveshje na ul besueshmërinë dhe ndikon negativisht në perceptimin e opozitës në shoqëri”, tha Salianji.

Por duket se marrëveshja gëzon mbështetjen e aleateve për të cilët rikthimi i normalitetit në parlament është i domosdoshëm.

“Marrëveshja është pozitive”, tha Mediu.

Mbetet për tu parë se si do të ecin bisedimet mes socialistëve e demokratëve në orët në vijim për të kuptuar nëse marrëveshja do të finalizohet  dhe pas 5 muajsh parlamenti ti kthehet normalitetit./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *