Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi bëri një krahasim mes menaxhimit që i ka bërë qeveria e Kosovës krizës dhe atë që ka bërë qeveria shqiptare.

Bardhi u shpreh në “Facebook” se në Kosovë u vendos i pari interesi i qytetarëve. Sipas tij, këtë e tregojnë më së miri 6 mijë vendet e reja të punës.

“Kosova na tregon sa e paaftë, e korruptuar dhe dështake është qeveria e Edi Ramës. Në thelb të veprimeve të saj në këto 2 muaj nuk ka qenë mirëqenia e qytetarit, por ajo e klientëve dhe oligarkëve. Ndryshimi thelbësor është se Kosova sot ka 6 mijë vende të reja punë më shumë sesa para krizës së COVID-it. Shqipëria ka pranuar zyrtarisht si të larguar apo pezulluar nga puna 66 mijë qytetarë. Çfarë e shpjegon këtë ndryshim kaq të madh? Përgjigja është fare e thjeshtë: Kosova zbatoi një paketë ekonomike që mbron vendet e punës, ekonominë familjare dhe ekonominë kombëtare, pothuajse një paketë të njëjtë me atë që propozoi Partia Demokratike që në fillim të krizës COVID.”

Nga ana tjetër, për demokratin qeveria e Edi Ramës nuk ka bërë asnjë nga këto masa mbështetëse. Sipas Bardhit, interesi kryesor i kryeministrit është të mbrojë oligarkët.

“Ndryshimi është si nata me ditën. Në Kosovë qeveria vendosi të parin interesin e qytetarëve. Ndërsa në Shqipëri, Edi Rama vendosi të parin interesin e 10 oligarkëve. 66 mijë punonjës të larguar e të pezulluar dhe mbi 60 milionë euro për beton dhe tendera luksi e dëshmojnë këtë. Paratë janë. Mjafton që Edi Rama të ndalë korrupsionin me tendera dhe të anullojë koncesionet korruptive. Qytetarët kanë nevojë për mbështetje, jo për propagandë e justifikime bajate të regjimit të facebook-ut.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *