Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, dorëzoi në SPAK dokumenta të reja, të cilat sipas tij implikojnë zëvendëskryeministren Belinda Balluku në një çështje korruptive.
Para gazetarëve, Bardhi denoncoi ndërtimin e impiantit fotovoltaik në digën e Zadejës, kostoja e të cilit sipas PD është fryrë në mënyrë fiktive, duke i shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit prej të paktën 5 milionë euro.
“Belinda Balluku e ka miratuar projektin shtetëror për impiantin fotovoltaik në digën e Zadejës, duke vënë firmën në një projekt që doli në tender me vlerë 8.3 milionë euro, kur ndërkohë, një projekt tjetër, thuajse binjak me këtë shtetërorin, u kushtoi investitorëve privatë jo 8 milionë euro, por vetëm 3 milionë euro”, tha Bardhi.
Bardhi ka vënë në dukje se ligji ngarkon Ministren për Energjinë, Belinda Balluku, të japë miratimin paraprak për ndërtimin e projektit dhe, më pas, t’i propozojë qeverisë miratimin e tij përfundimtar, ndaj përgjegjësia është e saj.
“Është në përgjegjësinë e SPAK-ut të gjejë se në xhepat e kujt kanë shkuar 5 milionë eurot plus në projektin e fryrë për ndërtimin e impiantit fotovoltaik në digën e Zadejës”, deklaroi Bardhi.
Pak javë më parë, Bardhi çoi në SPAK informacione për një tjetër çështje sipas tij korruptive, atë të shitblerjes së paligjshme të energjisë elektrike, që kap vlerën 180 milionë euro në vit./vizionplus.tv





