Bardheblutë triumfojnë 1-0 kundër Laçit, por vëmendjen e merr largimi i ‘Fanatics’

Tirana ka marrë një fitore të rëndësishme në javën e shtatë të Superiores, duke mposhtur Laçin me rezultatin 1-0.
Suksesi i bardhebluve u vendos nga goli i Dacit, në një sfidë që u shoqërua edhe me një zhvillim të veçantë në tribunat e stadiumit.
Ndërsa futbollistët e Tiranës luftonin në fushë për tri pikët, tifogrupi “Tirona Fanatics” zgjodhi të largohej nga stadiumi pas vetëm pesë minutash lojë, në shenjë solidariteti me protestën e studentëve që po zhvillohet në kryeqytet.
Me mesazhin “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrim”, tifozët bardheblu shprehën qëndrimin e tyre dhe u bënë thirrje edhe grupeve të tjera të tifozëve që t’u bashkohen studentëve.
Në aspektin sportiv, Tirana arriti të sigurojë një triumf minimal, por me vlerë të rëndësishme për vazhdimësinë e kampionatit. Goli i Dacit bëri diferencën në këtë përballje, duke i dhënë skuadrës bardheblu tri pikët e kërkuara.




