Barcelona-Inter, “ora e së vërtetës”! Sonte akti i parë i supersfidës, sulmi ‘atomik” spanjoll përballë “bunkerit” italian

Nga Ervin Sina- Gazetar/ Komentator
Barcelona dhe Inter janë gati ti dhurojnë ligës së kampionëve dhe Europës futbollistike një ndeshje të madhe mbrëmjen e sotme.
Dueli italo-spanjoll aktin e parë do ta luajë në Katalonjë, aty ku të zotët e shtëpisë, ndonëse jo në stadiumin e vet të madh që është ende në proces rikonstruksioni do të kërkojnë të arrijnë një rezultat sa më të favorshëm në kuadër të ndeshjes së kthimit që luhet të martën e ardhshme në San Siro.
Për gjendjen aktuale të të dyja ekipeve, për favorite jepet skuadra e Barcelonës e cila vjen pas fitores së Kupës së Mbretit në finalen maratonë kundër Realit, rival të cilin edhe në kampionat e ka prapa me 4 pikë distancë.
Hansi Flik kërkon të marrë gjithçka nga ky sezon. Synimet i bazon tek sulmi atomik dhe kualitetet e larta teknike në mesfushë dhe fazën ofensive.
Katalanasit kanë shënuar 37 gola deri tani në këtë sezon në Champions, më shumë se 3 gola për ndeshje, ndonëse sonte i mungon bomberi Levandovski, sërish me dy sulmuesit e krahëve talentin Jamal dhe Rafinjen golashënuesin më të mirë të turneut, por edhe me Pedrim, Frenki de Jong, Dani Olmon dhe Ferran Torres, kthehen në një skuadër të frikshme për çdo mbrojtje. Madje edhe për një mbrojtje si ajo e Interit që është më e mira e Champions këtë sezon me vetëm 8 gola të pësuar, më pak se një për ndeshje.
Zikaltërit janë duke kaluar momentin e tyre më të vështirë të sezonit, me tre humbje radhazi mes kampionatit dhe kupës së Italisë, të cilat kanë sfumuar ëndrrën tripletë. Italianët duken të shteruar në aspektin fizik dhe atë psikologjik dhe sonte më e pakta që urojnë është që të dalin me një rezultat që mban hapur kualifikimin për takimin e kthimit në shtëpi.
Mungon i sigurt Pavard që pritet të zëvendësohet nga Bisek, ndërsa Markus Turam ndonëse nuk është 100% i rikuperuar, po shtyn që të jetë në fushë nga fillimi. Inzagi kërkon ta godasë Barcelonën në pikën e saj më të dobët, në mbrojtje, aty ku spanjollët marrin shumë gola, ndonëse Interi i tij nuk është në ditët e veta më të mira, përkundrazi.
Supersfida Barcelona-Inter, transmetohet sonte ora 21;00 në Vizion Plus dhe Tring.
/vizionplus.tv




