Banorët e Vorës në protestë, kundërshtojnë prishjen e lulishtes
Banorët e Vorës u ngritën këtë të premte në protestë. Disa qytetarë ngritën zërin për të kundërshtuar prishjen e lulishtes dhe të 70 objekteve, që janë pjesë e projektit të rindërtimit pas tërmetit.
Ata pretendojnë se nuk janë njoftuar për këtë projekt dhe se gjithçka po bëhet në mënyrë të beftë.
“Dalin tendera pa u shqyrtuar me banorët e Vorës. Do të përplasemi te autoritetet derisa të na jepet zgjidhje. Nuk na kanë njoftuar për projektin. Projekti po bëhet në fshehtësi, pa miratimin e banorëve. Po prishet qendra e qytetit. Kjo është goditja e dytë që i bëhet Vorës.”
Plani është që lulishtja dhe 70 objekte të tjera të shktatërrohen me qëllim që të ndërtohet një rrugë dytësore që shkon paralel me autostradën.
Kjo nuk është hera e parë që banorët e Vorës protestojnë. Në qershor ata dolën para bashkisë sepse nuk ishin dakord me planin e rindërtimit. Sipas tyre, po prishen godina që nuk janë të dëmtuara nga tërmeti.




