Vala e rritjes së çmimeve që ekonomia shqiptare përjetoi në vitin 2022 me nisjen e luftës në Ukrainë, për Bankën e Shqipërisë i përket të shkuarës. Banka qendrore pret që për pjesën e mbetur të vitit inflacioni të qëndrojë pranë nivelit të 2.5%, duke u mbështetur te rënia e çmimeve të ushqimeve në tregjet e huaja.
“Stabiliteti i çmimeve, ky tregues ka ardhur në rënie të shpejtë, u diktua nga rënia e inflacionit të artikujve ushqimorë me origjinë nga tregu i huaj. Duket se inflacioni që përjetuam në vitin 2022 i përket të shkuarës, inflacion i aktual është në linjë me pritshmëritë tona. Inflacioni do të qëndrojë në intervalet 2-2.5% për pjesën e mbetur të vitit, por duke filluar nga 2025 presim që ky tregues të kthehet në 3%, që përbën edhe objektivin e BSH”, thotë Erald Themeli, drejtor i Departamentit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë.
Gjatë tremujorit të dytë të vitit, Banka e Shqipërisë vëren se interesat e kredisë në lekë të dhënë për individët për blerje banese ka ardhur në rënie, në raport me tre muajt e parë të vitit. E kundërta ka ndodhur me interesat e kredisë në euro.
“Kostot e përgjithshme të financimit dhe të kreditimit si për familjet, edhe për bizneset mbeten akomoduese. Ne kemi parë një trend pozitiv në rritje të kredisë, që ka ardhur duke u akseleruar gjatë vitit 2024. Rritja e kredisë ka një bazë të gjerë, dominohet nga rritja e portofolit të kredisë në lekë, por ka kontribut pozitiv edhe rritja e kredisë në valutë. Kjo kredi u ka shërbyer edhe bizneseve për financimin e investimeve, por edhe për nevojat e familjeve shqiptare për konsum apo për blerje banesash”, shprehet Themeli.
Bankat, sipas raportit, gjatë tremujorit të dytë të vitit, refuzuan më pak kredi, çka do të thotë se perceptojnë një rrezik më të ulët për aftësinë paguese të kredimarrësve. /vizionplus.tv





