Bangladeshi ka ndaluar një grup islamik të akuzuar për vrasjen e aktivistëve që bëjnë fushata në mbështetje të personave LGBT në këtë vend me shumicë myslimane, njoftuan sot burime zyrtare.

 

Ministria e Punëve të Brendshme nxorri një urdhër që ndalon të gjitha aktivitetet e Ansar al Islam, një grupim që mendohet se është degëzim i Al Kaedës në subkontinentin Indian.

 

“Aktivitetet e Ansar al Islam kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Bangladesh. Të gjitha aktivitetet e këtij grupi janë ndaluar sepse ato përbëjnë një kërcënim për rendin publik”, thuhet në këtë njoftim zyrtar.

 

Grupi mbahet përgjegjës për vrasjen vitin e kaluar të aktivistëve LGBT, Xulhaz Mannan dhe mikut të tij në një apartament në Dhaka.

 

Sipas një grupi amerikan monitorues “SITE Intelligence”, Ansar al Islam akuzohet gjithashtu për vrasjen e dy blogerëve të Bangladeshit, Niladri Chattopadhyay dhe Nazim Uddin Samad.

 

Ansar al Islam është organizata e shtatë islamike që ndalohet në Bangladesh, që ka një kushtetutë sekulare, por më shumë se 90 për qind e popullsisë janë myslimanë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *