Operatori i Sistemit të Transmetimit po investon për rritjen e kapaciteteve në nënstacionin elektrik të Rrashbullit në zonën e Durrësit. Një investim i ndarë në dy faza, i cili mundëson rritjen e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji.

Janë vendosur dy transformatorë të rinj, duke rritur sigurinë energjetike, jo vetëm në rajonin e Durrësit, por edhe më gjerë, si dhe është bërë e mundur ndërtimi i traktit të ri të linjës 220 kV nën nënstacionin e Rrashbullit.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe Administratori i OST, Skerdi Drenova ndoqën nga afër punimet e realizuara, të cilat e kthejnë këtë nënstacion në një nga qendrat e reja të sistemit të transmetimit.

“Kemi vendosur dy auto transformatorë të rinj. Rrashbuli do të jetë një nga qendrat e reja të sistemit të transmetimit ku rritja dhe fuqizimi i këtij nënstacioni ndikon si në furnizimin e qytetit të Durrësit, po ashtu edhe në Ultësirën Perëndimore. Njëkohësisht është dhe e ardhmja sepse do ndikojë, si në portin e ri të Porto Romanos, në Spitallë, si dhe në Marinën e Durrësit”, sqaroi Drenova referuar projektit që po zhvillohet.

Zëvendëskryeministrja Balluku bëri të ditur se janë disa projekte të rëndësishme që lidhen me sistemin e transmetimit dhe rritjen e kapaciteteve, të cilat jo vetëm zgjerojnë kapacitetet në vendin tonë, por kanë impakt në të gjithë rajonin.

“Kemi nisur një punë shumë intensive dhe shumë serioze përsa i përket të gjithë pjesës së fuqizimit të rrjeteve transmetimit. Jo vetëm të fuqizimit, por kemi dhe plane për të bërë projekte të reja të mëdha të cilat do të kthehen në projekte që do ti shërbejnë të gjithë rajonit, madje edhe linjave të transmetimit europiane”, nënvizoi Balluku.

Me të gjithë zhvillimin që ka pasur në ngritjen e kapaciteteve të reja të rinovueshme, vijoi më tej Balluku, tashmë të shtrira jo vetëm në Ultësirën Perëndimore, por edhe në zona të tjera të vendit, është e rëndësishme edhe zhvillimi dhe shtimi i kapaciteteve.

“Nga 2019 dhe deri më sot, në këto 5 vite, ka pasur një ndryshim shumë të madh si të interesit për të investuar në energji të rinovueshme, por edhe të interesit për të provuar edhe teknologji të reja, që më përpara nuk ishin në treg. Ajo që ne duhet të bëjmë dhe ne kemi nisur një punë në Ministri të Infrastrukturës dhe Energjisë është një bashkërendim i të gjitha investimeve duke nisur nga OST, Operatori i Transmetimit dhe deri tek Operatori i Shpërndarjes apo dhe deri tek entitetet private, të cila po ndërtojnë kapacitete të reja në Republikën e Shqipërisë. Përveç të gjithë përpjekjes që po bën KESH për të diversifikuar portofolin”, tha Balluku.

Investimi për zgjerimin e nënstacionit të Rrashbullit është pjesë e projektit “Ndërtimi i linjës ajrore me dopio qark 400 Tiranë-Rrashbull dhe unaza 100kV e Tiranës, pjesë e programit të efiçenës së energjisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *