Subscribe

Pas tre vitesh nga krijimi, nismës “Ballkani i Hapur” do t’i bashkohet edhe Mali i Zi. Për herë të parë në takimin e së mërkurës në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në tryezën e diskutimeve bashkë me kryeministrin Edi Rama, homologun maqedonas Dimitar Kovaçevski dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç do të ulet edhe kryeministri malazez Dritan Abazoviç.

Ndryshe nga paraardhësi i tij dhe qëndrimi kundër i presidentit të Malit të Zi Milo Gjukanoviç, kreu i qeverisë së Podgoricës ndryshon kurs dhe bëhet pjesë e “Ballkanit të Hapur” duke e çuar në katër numrin e vendeve pjesëmarrëse.

Kosova dhe Bosnje Hercegovina mbeten ende refuzuese. Kryeministri Albin Kurti edhe një herë iu përgjigj me jo ftesës, kësaj herë nga homologu maqedonas. Në letrën e tij, ai rithekson se Kosova është e angazhuar në Procesin e Berlinit dhe jo në nisma që reflektojnë interesat e lindjes, të Rusisë dhe Kinës.

Të mërkurën e tetë qershorit në Ohër, përveç diskutimeve do të nënshkruhen edhe disa marrëveshje, ku më e rëndësishmja dhe e premtuar në takimin e fundit në Tiranë, ishte heqja e barrierave tarifore për disa nga produktet e eksportit dhe importit mes tre vendeve. Po aq pritet një marrëveshje me vëmendjen te turizmi, te përshtatja e legjislacionit për operatorët turistik me qëllim tërheqjen e sa më shumë turistëve drejt Ballkanit Perëndimor.

Mbetet për t’u parë nëse pjesë e këtyre marrëveshjeve do të jetë edhe Mali i Zi dhe veçmas se cili do të jetë qëndrimi i Dritan Abazoviç pas tryezës së diskutimeve mes Ramës, Kovaçevskit dhe Vuçiç.

Në 8 qershor, katër liderit e Ballkanit Perëndimor pa Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën takohen për të dhjetën herë. Një sërë marrëveshjet janë nënshkruar mes tre vendeve, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, si nga njohja e diplomave universitare, certifikatat fitosanitare apo në ato funksion të krijimit të një tregu sa më të lirë të punës.

Takimi i katër liderëve i prin vizitës zyrtare të kancelarit gjerman Olaf Sholz në disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, e konkretisht në Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Në vizitën që kryeministri Edi Rama kreu në Gjermani, Olaf Sholz e bëri të qartë se për Gjermaninë ekziston vetëm Procesi i Berlinit, për të cilin tha se do ta rijetësojë. Po aq edhe qëndrimi i Bashkimit Evropian dhe Shteteve te Bashkuara të Amerikës mbetet i pandryshuar, një nismë ku të jenë të përfshirë të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm disa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *