Subscribe

Një ditë pas forumit ekonomik që u mbajt në Shkup në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, ministrja kosovare e punëve të jashtme, Donika Gërvalla ka zhvilluar vizitën e saj të parë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Në takimin me homologun Bujar Osmani u arrit dakordësia për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, ndërsa në rrafsh rajonal, “Ballkani i hapur” mbetet një vijë e kuqe.

 

BUJAR OSMANI

MINISTER I JASHTEM, MAQEDONI E VERIUT

“Rajoni ka nevojë për bashkëpunim më të thellë dhe defragmentim të tregut i cili nuk është atraktiv për investitorët. Në rajon dikush kishte numëruar që ka më shumë se 70 iniciativa rajonale. Disa janë shterur, disa janë në pikun e suksesit dhe disa të tjera, në punë e supër. Edhe këtë të fundit unë e shoh si një vlerë të shtuar që nuk tenton të neutralizojë efektin e iniciativav të tjera që janë ekzistuese.”

 

Por Prishtina zyrtare nuk e miraton këtë qëndrim.

 

DONIKA GËRVALLA SCHWARZ

MINISTRE E JASHTME, KOSOVE

“E konsiderojmë si të rrezikshme, sepse krijohet përshtypja se kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët, si rajon, drejt BE-së, dhe përçimi i këtij mesazhi ne konsiderojmë se është më i rrezikshëm sesa vonesat që mund të ndodhin ndërkohë gjatë procesit tonë të integrimit. Ne kemi një proces të përbashkët rajonal ku jemi të gjitha vendet e rajonit dhe ky proces quhet Proces i Berlinit, në kuadër të të cilit për disa vite synojmë të shtyjmë përpara marrëveshjet që prekin të gjithë qytetarët.”

 

Ministrja Gërvalla shtoi në fjalën e saj se iniciativa “Ballkani i hapur” vë në pikëpyetje edhe qëllimet gjeostrategjike që ka rajoni.

 

Kryeministri Rama, homologu i Maqedonisë së veriut dhe presidenti serb, deklaruan një ditë më parë se nisma është e hapur për të gjitha vendet e rajonit që duan të bashkëpunojnë në bazën e katër lirive themelore të Bashkimit Europian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *