Subscribe

Pas dështimit të disa seancave, ku pritej dhënia e dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Luftar Reçi për vrasjet e bujshme të ndodhura në vitin 2005, sot ai është përballur me 4 të pandehurit e tjerë në Gjykatën E Posaçme. Në përballjen e sotme me Viktor Ymerin, Emiljano Shullazin, Indrit Rusin dhe Endrit Taullain, që Reçi i akuzon si organizatorë dhe ekzekutorë të vrasjeve, ai i qëndroi besnik deklarimeve të bëra më herët në vitin 2020.

 

3 vjet më parë Reçi deklaroi për organin e akuzës se porosinë për të ekzekutuar Klodian Saliun mbrëmjen e 26 shkurtit të vitit 2005 në autostradën Durrës-Tiranë, e ka marrë nga Lul Berisha, ky i fundit shpallur në kërkim ndërkombëtar për këtë vepër penale. Reçi thotë se Berisha i ofroi një marrëveshje sipas së cilës, nëse ai do ekzekutonte Klodian Saliun, në këmbim Berisha do të vriste hasmin e tij.

 

Po sipas dëshmitarit të drejtësisë, hidhet dritë mbi mënyrën sesi ai bashkë me Indrit Taullain përgatitën kallëpe tritoli 9-she për të hedhur në erë edhe Vajdin Lamen. Bombën me telekomandë, e cila duhet të mjaftonte sa për të hedhur në erë një makinë, sipas Reçit ia dorëzuan Emiljano Shullazit. Ka qenë ky kallëp tritoli, siç dëshmon i mbrojturi i drejtësisë që u përdor nga ish anëtarët e bandës së Durrësit për të shpërthyer ashensorin ku mbeti i vdekur pikërisht, biznesmeni Vajdin Lame dhe miku i tij, Arsen Arsi.

 

Gjatë seancës së sotme, Luftar Reçi, pranoi për togat e zeza se është kërcënuar për të ndryshuar dëshminë e tij për tre vrasjet e ndodhura 18 vjet më parë për llogari të Emiljano Shullazit, Lulzim Berishës dhe kunatit të këtij të fundit, Plaurent Dervishajt, po ashtu në kërkim ndërkombëtar.

 

Ai bëri me dije se është kërcënuar për të ndryshuar dëshminë e tij, si nga persona të dërguar nga Viktor Ymeri, moment kur Luftar Reçi ka qenë në burgun e Drenovës në Korçë, por ka marrë edhe forma të tjera presioni nga të burgosurit e këtij institucioni ndëshkimor, se nëse nuk i tërheq deklarimet do t’i vrasin familjarët. Në total për këto tre vrasje akuzohen 6 persona.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *