Taulant Balla deklaroi se PS ka nisur konsultimet për propozimin e presidentit të ri.

 

Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, Kreu i grupit Parlamentar deklaroi se deri në 24 maj do të kemi një emër të përzgjedhur.

 

 “Sikurse thotë Kushtetuta jo më vonë se 60 ditë nga dita e përfundimit të mandatit, jo më vonë se 24 maji duhet të ketë filluar procesi i zgjedhjes së presidentit. Kuvendi i Shqipërisë do të marrë kohën e duhur për të zhvilluar këtë proces. Partia Socialiste e cila ka udhëheqësinë në këtë proces, pasi është shumica parlamentare do të zhvillojë një proces dëshira jonë është që të jetë një proces i hapur konsultimesh brenda suazës së Kuvendit të Shqipërisë dhe bashkë me mua si kryetar i grupit parlamentar do të jetë Elisa Spiropali dhe Damian Gjiknuri si të mandatuar nga grupi parlamentar për të konsultuar me grupet e tjera parlamentare me deputetë me gjithëkënd që është i interesuar për të institucionalizuar një dialog konstruktiv në funksion të procesit, pasi procesi i zgjedhjes së Presidentit është i tillë që kërkon konsultime”, theksoi Balla.

 

Më tej ai shtoi se priten propozime konkrete, qofshin ato konfidenciale.

 

 

“Po ashtu këto konsultime kanë filluar që sot brenda grupit tonë parlamentar ku deputetëve iu është kërkuar që të vijnë me propozime konkrete, konfidenciale nëse duhen me qëllim që të kemi gati një short listë të atyre, që mund të jenë kandidaturat e mundshme për t’u mbështetur më pas me firmat. Procesi i zgjedhjes së Presidentit përfshin brenda vetes edhe një proces teknik sikurse është ai i depozitimit të kandidaturave në sekretarinë e Kuvendit dhe më pas përfshirjen e tyre në 5 raunde zgjedhore”.

 

Sa I takon mundësive për të biseduar me pjestarët e Komisionit të Rithemelimit, deputetet e së cilës janë në kuvend, Balla u shpreh:

 

“Në Kuvendin e Shqipërisë nuk ka një grup parlamentar të quajtur Grupi i Rithemelimit. Prandaj unë isha shumë i kujdesshëm në atë që thashë me grupet parlamentare brenda kuvendit dhe grupet parlamentare janë ato që ju dini dhe natyrshëm se çfarë ndodh brenda grupeve parlamentare është çështje e brendshme e tyre. Ne kemi vendosur një standard në marrëdhëniet institucionale brenda Kuvendit të Shqipërisë”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *