Kombëtarja shqiptare ka mbërritur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Shqipëri pas ndeshjes me Poloninë të luajtur të enjten mbrëma në stadiumin “PGE Narodowy të Varshavës. Pasi ka pushuar paradite grupi ka zbritur në fushën e kompleksit Tropikal në Durrës në orën 17:00 për seancën e radhës stërvitore.

Për rreth 1 orë lojtarët që u aktivizuan në ndeshjen ndaj Polonisë kanë zhvilluar stërvitje të veçuar, ndërsa pjesa tjetër ka zhvilluar stërvitje me intensitet të plotë. I pranishëm në këtë seancë ka qenë edhe Nedim Bajrami, i cili pasi mori dritën jeshile nga CAS për të luajtur me Shqipërinë, është bashkuar me kuqezinjtë dhe do të jetë i gatshëm për dy ndeshjet e radhës ndaj Hungarisë dhe San Marinos.

Ndërkaq, zyra e shtypit në FSHF bën me dije se dy futbollistët Enest Muçi dhe Mario Mitaj, pas stërvitjes me Kombëtaren A, kanë udhëtuar në mbrëmje drejt Elbasanit për t’u bashkuar me Kombëtaren U-21. Të dy lojtarët do të vihen në urdhrat e trajnerit të Shpresave, Alban Bushi për ndeshjen e eliminatoreve të Europianit për moshën U-21 ndaj Republikës çeke. Kësisoj, lista e Kombëtares A përbëhet aktualisht nga 26 lojtarë.

Të shtunën kombëtarja do të zhvillojë edhe përgatitjet e fundit para ndeshjes me Hungarinë që luhet më 5 shtator në stadiumin “Elbasan Arena”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *